Zyrtarë të lartë sauditë bëjnë të ditur se rregullat e reja për pronësinë e huaj në pasuri të paluajtshme pritet të jenë të gjera dhe do të përfshijnë megaprojekte strategjike, raportoi “Klix”. Sipas Fahad Bin Sulejman nga Autoriteti i Përgjithshëm për Pasuri të Paluajtshme (REGA), disa zona ku të huajt mund të blejnë pronë ende janë në fazën përfundimtare të shqyrtimit.
Ai tha se në këto rajone pronësia e huaj pritet të kufizohet ndërmjet 70% dhe 90%. Ndërkohë, në qytetet e shenjta, blerësit duhet të jenë myslimanë, ndërsa në pjesët tjera të vendit do të ketë shumë pak kufizime.
Duke folur në konferencën Cityscape Global, Bin Sulejman theksoi: “Nuk ka kushte të rënda. Nuk duam të jemi restriktivë. Nëse e krahasoni ligjin aktual me atë të përditësuar, ndryshimet janë të mëdha.”
Ky njoftim konfirmon afatet e mëhershme dhe sqaron disa detaje para publikimit zyrtar të rregullativave të reja. Autoritetet po finalizojnë dhe po i dërgojnë ato për miratim.
Rishikimi i ligjit për pasuri të paluajtshme, i nisur në korrik, është pjesë e strategjisë saudite për të tërhequr investime të huaja dhe për të përparuar objektivat e programit “Vizioni 2030”. Tregu i pasurive të paluajtshme është kthyer në pikë kyçe këtë vit për shkak të krizës së brendshme të banesave, që ka vështirësuar përpjekjet e Riadit për të tërhequr kompani, talente dhe kapital të huaj.
Regullatorët po zbusin gjithashtu kufizimet në tregjet e kapitalit, ndërsa së shpejti pritet të lejohet pronësia e huaj mbi shumicën e aksioneve saudite.
Për të lehtësuar procesin e blerjes, REGA ka lansuar portalin “Saudi Properties”, i cili do të shënojë zonat e sakta gjeografike dhe pronat ku të huajt do të lejohen të investojnë.
Bin Sulejman shtoi se disa prej këtyre zonave janë strukturuar posaçërisht për të ulur rreziqet e investimeve dhe për të ruajtur ekuilibrin e tregut më të gjerë të pasurive të paluajtshme.
“Qëllimi ynë kryesor është të hapim plotësisht tregun dhe t’u mundësojmë të huajve të vijnë në Arabinë Saudite për të blerë dhe investuar në pasuri të paluajtshme,” deklaroi ai.

