Prishtinë, 10 mars 2024

E nderuara Familje Beqiri

Të nderuar drejtues dhe staf i FC Prishtina

Me dhimbje të thellë dhe zemër të thyer morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Shpëtim Beqiri, andaj më lejoni që në emrin tim, në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe tërë komunitetit të futbollit, të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe.

Shpëtimi, një njeri me kontribut të pamohueshëm në Klubin e Futsallit “Prishtina”, la gjurmë thella në zhvillimin e futsallit kosovar. Me menaxhimin e tij të shkëlqyer, ai ka ndihmuar në organizimin dhe zhvillimin e klubit kryeqytetas, duke lënë gjurmët e një lideri të shquar sportiv.

Ai do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë për kontributin e tij të shkëlqyer dhe miqësinë e vërtetë që shpërndau gjatë rrugëtimit të tij sportiv.

Në këto momente të vështira, ju dërgojmë ngushëllimet tona më të thella dhe jemi pranë jush që të gjeni forcën për të përballuar këtë humbje të madhe.

Për të nderuar veprën e Shpëtim Beqirit, ndeshjet e javës së 10-të në Superligë dhe Ligën e Parë në futsall do të fillojnë me një minutë heshtje.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!

Me respekt të thellë,
Agim Ademi,
President i Federatës së Futbollit të Kosovës