Ish-reprezentuesi i njohur i Ekuadorit, Felipe Caicedo (37 vjeç), ka njoftuar tërheqjen e tij të menjëhershme nga futbolli profesionist. Ky vendim drastik vjen pas vrasjes tronditëse të shokut të tij të skuadrës te Barcelona Sporting Club, Mario Pineida (33 vjeç).
Ngjarja e rëndë ndodhi më 18 dhjetor në Guayaquil, qyteti më i madh i Ekuadorit, ku Pineida u ekzekutua në mes të ditës. Në këtë sulm me armë zjarri mbeti e vrarë edhe bashkëshortja e futbollistit, ndërsa nëna e tij u plagos rëndë.
“Jam i thyer, nuk luaj më” Caicedo, i cili ka pasur një karrierë të pasur në klube si Manchester City, Lazio, Inter, Malaga dhe Espanyol, u shpreh i shkatërruar nga humbja e mikut dhe kolegut të tij.
“Me shumë mundësi do të tërhiqem. Nuk kam ndërmend të vazhdoj. Vdekja e Mario Pineidës më ka goditur thellë dhe nuk dua të di më asgjë për futbollin. Nuk do të qëndroj më te Barcelona,” deklaroi sulmuesi për mediat lokale, duke konfirmuar se nuk mund të gjejë forcë për t’u rikthyer në fushë.
Një ikonë e futbollit ekuadorian Felipe Caicedo mbetet një ikonë e kombëtares së Ekuadorit, me të cilën regjistroi 68 ndeshje dhe shënoi 22 gola. Ai ishte rikthyer në vendlindje në janar të këtij viti për t’i dhënë fund karrierës te skuadra e zemrës, Barcelona de Guayaquil, por askush nuk e kishte parashikuar që ky fund do të ishte kaq tragjik.
Vrasja e Pineidës ka ngritur alarm në mbarë vendin për pasigurinë dhe dhunën në rritje, duke bërë që shumë sportistë të ndihen të kërcënuar.


