Saturday, June 15, 2024
spot_img

Trajneri Silvinjo shpall listën e Kombëtares me emrat e 27 lojtarëve për fazën përgatitore të “EURO 2024”

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, doli këtë të hënë në një konferencë për mediat, menjëherë pas publikimit të listës paraprake për finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”. Tekniku i ekipit kuqezi e nisi konferencën duke u shprehur së është shumë krenar që mbërriti ky moment dhe që do të shkojnë në finalet e një Kampionati Europian. Gjithashtu tekniku Silvinjo në emër të tij dhe stafit teknik, falënderoi të gjithë djemtë që kanë dhënë kontribut në kualifikueset e Europianit.

“Para së gjithash dua t’ju them se është një krenari për mua të jem trajner i Kombëtares në finalet e Kampionatit Europian 2024. Është shumë e rëndësishme për mua dhe për stafin të them disa fjalë. Dua të falënderoj të gjithë djemtë që deri këtu kanë bërë një rrugëtim me të gjithë ne. Respekt maksimal për të gjitha ata. Zgjedhjet tona janë të bazuar në studime, analize, karakteristikat individuale dhe kolektive të çdo lojtari, si edhe të skenarit që do të kemi në finalet e Europianit. Është përgjegjësi e trajnerit të zgjedhë lojtarët, për fat të keq unë nuk mund t’i marr me vete të gjithë. Kërkova të bëj më të mirën dhe i kam dedikuar të gjitha përpjekjet e mia për të bërë më të irën për këtë skuadër. Ne shkojmë në Gjermani për të luajtur për 3 milionë shqiptarë të cilët jetojnë këtu dhe më shumë se 10 milionë të cilët jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë” – tha fillimisht trajneri Silvinjo.

Më pas tekniku i Kombëtares komentoi listën paraprake me 27 lojtarë të grumbulluar në kuadër të përgatitjeve për finalet e “EURO 2024”. Zgjidhjet e trajnerit Silvinjo: Portierë: Etrit Berisha, Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Simon Simoni; Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Ardian Ismajli, Arlind Ajeti, Naser Aliji, Mario Mitaj, Enea Mihaj, Marash Kumbulla;  Mesfushorë: Amir Abrashi, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Medon Berisha, Klaus Gjasula, Qazim Laçi, Ernest Muçi, Ylber Ramadani; Sulmues: Jasir Asani, Armando Broja, Mirlind Daku, Arbër Hoxha, Rey Manaj dhe Taulant Seferi.

Pse jeni kufizuar në listë dhe keni marrë kaq pak lojtarë?– Ka qenë shumë e vështirë për ne që të zgjidhnim këto lojtarë dhe për fat të keq është e pamundur që të marrim të gjithë lojtarët me vete në Gjermani. Në këtë fazë mund të marrësh më shumë lojtarë, por nuk mund të menaxhohen dhe të stërviten mirë. Është një situatë e vështirë dhe zgjedhjet janë bazuar në analizat që janë bërë, në taktikat dhe karakteristikat e çdo lojtari dhe të grupit. Duhet të kemi parasysh që finalet e Europianit janë diçka tjetër ndryshe nga kualifikueset. Në raundin kualifikues, ekipi luan tetë ndeshje në 10 muaj ndërkohë që në këtë turne ne shkojmë për të bërë tre ndeshje në 15 ditë dhe nëse marrim pikë mund të bëjmë edhe ndeshje të tjera. Pra, është një specifikë krejt tjetër dhe  zgjedhjet janë bazuar në këtë kontekst.

Mungesat në sulm dhe a ndikon mungesa e Cikalleshit & Uzunit në prishjen e harmonisë së ekipit – Kemi bërë një zgjedhje për të përballur me kujdes finalet e një Europiani dhe një grup shumë të vështirë. Puna në një Kombëtare është shumë më ndryshe se puna në një klub. Ne patëm dy miqësore në muajin mars ku u dhamë mundësi disa lojtarëve të cilët nuk i kishim parë në ndeshjet e mëparshme. Dera e Kombëtares është gjithmonë e hapur në çdo moment për çdo lojtar. Mund të jesh edhe 27 vjeç dhe je në formë dhe të vjen një ftesë nga Kombëtarja. Në miqësoret e marsit provuam disa lojtarë që donim t’i shikonim. Nuk kemi shumë kohë për të bërë eksperimente sepse finalet e Europianit janë krejt tjetër, ndryshe nga kualifikueset. Jam i bindur që grupi i Europianit është 100% i qetë dhe në atmosferën e duhur dhe është i gatshëm për të shkuar përpara në këtë rrugëtim. Zgjedhja ime është e e vështirë. Dua t’i falënderoj të gjithë lojtarët, por e kam të pamundur të marr 35 lojtarë apo më shumë sepse në fund, sipas rregullit të UEFA-s, ne do të shkojmë në Europian me 26 lojtarë. Grupi i lojtarëve është në formë të mirë. Unë kam qenë vetë futbollist, e di shumë mirë për një lojtar se çfarë do të thotë të rrish në stol dhe në tribunë, kemi pranuar zgjedhjet e trajnerit. Nuk është e lehtë, por lojtarët janë të ndërgjegjshëm për këtë fakt.

Abrashi e Berisha? – Më pëlqen të flas për lojtarët e ftuar, jo ata që nuk janë këtu. Nuk është e lehtë, e pamë konferencën e Spanjës sot. Ata bënë zgjedhjet e veta, një listë shumë e madhe me 35-40 lojtarë. E vura re edhe trajnerin e Spanjës. Nuk është e lehtë për asnjë nga ne, kjo është diçka normale. Abrashi është një lojtar me shumë ekseperiencë, të cilin ju e njihni mirë. Aktualisht në këtë listë është mesfushori i vetëm që ka luajtur në Euro 2016. Për karakteristikat që ka, për grintën që ka përfaqëson më së miri shpirtin e kësaj skuadre, kombëtares shqiptare. Plus ka edhe eksperiencë të madhe. Medon Berisha është një lojtar i ri, të cilin e ndjekim prej shumë kohësh. Ka qenë me Kombëtaren U-21, lojtar shumë i talentuar dhe me këtë rast vlerësojmë edhe punën e bërë nga Kombatarja U-21. Kemi rastin e Mitajt, i cili erdhi, iu dha mundësia dhe e tregoi që e meritonte atë vend. Edhe Berisha duhet të japë përgjigjet e tij në fushën e lojës. Patjetër është lojtar shumë i talentuar. Mund të marrë edhe ai shansin e tij. Mendojmë se Berisha është gati për Kombëtaren e madhe.

Kemi besim te ky grup prej 27 lojtarësh që kemi zgjedhur. Përgjigjen pak e shumë e dhashë, do doja të kisha edhe 35 lojtarë, por është e pamundur. Patjetër ka lojtarë që e meritojnë të jenë në Kombëtare, lojtarë shumë të mirë, por UEFA ka një rregull që thotë që t’i mund të marrësh deri në 26 lojtarë. Kjo ëshët jeta, nuk është aspak e lehtë për mua si trajner të bëj këto zgjedhje. Kjo është detyra ime. Kemi studiuar lojtarët me detaje këto kohë, kemi studiuar edhe rivalët dhe zgjedhjet janë bërë në bazë të kësaj pune, analize. Prandaj ne dolëm me këto zgjedhje. Sigurisht që mund të jenë 7, 10 lojtarë që e meritojnë dhe janë jashtë kësaj liste. Në fund të fundit duhet të bëjmë një zgjedhje, kemi vendosur të shkojmë me 27 lojtarë. Kemi 15 ditë stërvitje deri në ndeshjen e parë, kemi miqësoret ku do provojmë shumë lojtarë, jam i keqardhur që mungojnë disa lojtarë, por kjo është detyra e një trajneri”.

Broja? – Për ne si staf, fakti që një lojtar luan ose nuk luan shumë me klubin nuk është kriter madhor. Ka lojtarë që ndoshta me klubin kanë luajtur pak, por te Kombëtarja kanë dhënë maksimumin dhe kanë bërë shumë mirë. Një nga kriteret për listën ka qenë që lojtarët të jenë 100% gati fizikisht, psikologjikisht. Kjo është marrë në konsideratë. Është edhe një lojtar që ju nuk e përmendët, Muçolli, të cilin unë do doja ta kisha. Kam folur me të, ka një dëmtim, fola edhe me doktorin dhe nuk ishte gati. Ndaj nuk e mora. E njëjta gjë edhe me disa lojtarë të tjerë, që ndoshta nuk janë gati fizikisht dhe për këtë arsye nuk janë edhe në listë. Sa i takon Brojës, ai është një lojtar që të gjithë e njohin mirë, një lojtar i shpejtë, shumë i fortë në situatat një kundër një. Për fat të mirë është rikuperuar prej 6 muajsh dhe në aspektin fizik është në gjendjen optimale. Njëlloj edhe Manaj, i cili ka kaluar një dëmtim të rëndë që ka pasur dhe tani është në formë shumë të mirë. Janë dy lojtarë që mund të na japin shumë në fushën e lojës. E theksojmë, në rastin e Shqipërisë ka raste që ka lojtarë që nuk luajnë me klubet aq sa duhet, por kur kanë ardhur me ekipin kanë dhënë maksimumin dhe kanë bërë shumë mirë. Në rastin tonë nuk është e thënë të qëndrojë që nuk luan me klubin.

Ndryshime në listë? – Sipas rregullave të UEFA-s, nëse një nga këta futbollistë pëson një dëmtim gjatë këtyre javëve, vetëm pas datës 7 qershor mund të ndërrojmë njërin prej tyre. Në këto momente nuk bëjmë dot ndryshime pa pasur probleme.  Simoni është një futbollist i ri, i ngjashëm me Medon Berishën, ka bërë një rrugëtim të gjatë me ekipet e moshave, por do të duhet të përgjigjet në fushën e lojës. Do shikojmë në datën 7 qershor, gjendjen në të cilën jemi dhe do të vendosim nëse do të shkojmë me 4 portierë apo jo, pasi të kemi zhvilluar miqësoret. Nëse një lojtar do të ketë probleme fizike, mund të kemi ndryshime.

Mbrojtja dhe rinovimi i kontratës – Për sa i përket listës së lojtarëve, nuk jam bazuar te frika për të marrë mbrojtës, por si trajner jam i shqetesuar. Rivalët i kemi studiuar me shumë kujdes, janë ekipe shumë të forta të treja. Ne kemi marrë 5 qendërmbrojtës, por mund të luajnë 2 apo 3 prej tyre. Po të shikoni listën, kemi lojtarë si Bajrami, Muçi, Seferi, Laçi, të cilët janë në gjendje të luajnë në pozicione të ndryshme, në krahë, mesfushë apo sulmues të avancuar. Kjo është e ardhmja e futbollit, të kesh sa më shumë lojtarë që mund të luajnë në role të ndryshme.  Sa i përket rinovimit, unë me stafin jemi të fokusuar në Euro 2024 dhe po mundohemi të bëjmë më të mirën për ekipin, pasi forca jonë është te grupi dhe puna që bëjmë, ndaj për momentin jemi të fokusuar vetëm te Euro 2024.

Sa kohë keni punuar mbi listën dhe kur i keni vendosur zgjidhjet përfundimtare? – Kam tre muaj që punoj mbi këtë listë. Kam ndryshuar shumë herë dhe kjo listë është bërë në tre ditët e fundit. A ndryshohet gjë në aspektin e lojës? Patjetër mund të ndryshojmë. Nuk ka të bëjë asgjë me kualifikueset. Është diçka tjetër, finalet e Europianit janë një tjetër specifikë. Nëse më thoni që me Ishujt Faroe kemi bërë tjetër lojë, nuk ka aspak lidhje, është një tjetër gjë Kampionati Europian. Ne duhet të provojmë të bëjmë diçka, duhet të provojmë të bëjmë diçka më shumë në Europian që është një nivel shumë i lartë.

Sa i ndieni emocionet dhe sa të vështirë e keni për t’ua transmetuar lojtarëve? – Sigurisht, ne duhet t’i transmetojmë lojtarëve shpirtin e duhur që ata të futen në fushë me grintën e duhur. Sa u përket kualifikueseve është krejtësisht tjetër, ne kemi bërë mirë por tani jemi në një tjetër fazë. Tani niveli është shumë i lartë. Sa i përket presionit, ne nuk kemi shumë presion. Ne duhet të luajmë të përmirësohemi dhe të provojmë. Çdo ndeshje futbolli, është mrekulli, mund të ndodhë gjithçka. Në Katar, në Botëror nisi ndeshja e parë, pastaj gjithçka ishte tjetër. Po luajmë ndaj tre kundërshtarëve të fortë që nuk janë në këtë kompeticion vetëm për të shkuar sa më larg, por kanë ardhur për ta fituar trofeun. Stafi teknik duhet t’i transmetojë lojtarëve karikimin e duhur që ne të futemi në fushën e lojës me shpirtin e duhur dhe t’i largojmë atyre presionin.

Presidenti Armand Duka tha sot se “shqiptarët duan t’i bëjnë pushimet në Gjermani nga 14 qershori deri më 14 korrik” – Ne duhet të shkojmë në Europian për të luftuar për çdo pikë, ky është shpirti i duhur dhe ai që kemi. Fubtolli është i bukur dhe mund të ndodhi gjithçka, kemi parasysh Portugalinë e viti 2016. Një skuadër shumë e fortë me një trajner shumë të mirë, por mori vetëm tre barazime në grup dhe pastaj fitoi trofeun. Ne duam që të shkojmë ta shijojmë këtë eksperiencë me përgjegjësinë e duhur sepse po luajmë në Europian dhe është diçka fantastike të luajmë ndaj lojtarëve dhe skuadrave më të mira në botë dhe Europë. Qëllimi është të shkojmë, të luftojmë për çdo pikë dhe të rritemi e të përmirësohemi.”

TE NDRYSHME

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

TE FUNDIT