PRISHTINË, 24 dhjetor 2025 – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) për vitin 2026, i cili përjashton çdo mundësi për shkëmbim territoresh apo ndarje të Kosovës mbi baza etnike. Ligji prej 901 miliardë dollarësh rikonfirmon se marrëveshja finale me Serbinë duhet të rezultojë me njohje reciproke, duke i dhënë fund pretendimeve të Beogradit për “botën serbe” dhe ndryshim kufijsh në Ballkan.
Veprimtari Idriz Zeqiraj, në një prononcim për “Bota sot”, e cilësoi këtë ligj si një garanci historike që godet fort “pazarxhinjtë” e kufijve. Ai theksoi se ky vendim është një përgjigje ultimative për aktorët që synonin ndarjen: “Me ligjin e ri të Trump, këto ‘ëndrra’ të Beogradit marrin fund… është një përgjigje edhe për Grenellin, Ramën, Vuçiqin dhe për disa zyrtarë të PAN-it,” deklaroi Zeqiraj, duke kujtuar se Trump e shkarkoi Boltonin pikërisht sepse tentoi ndarjen prapa shpinës së tij.
Sipas Zeqirajt, dialogu tashmë reduktohet vetëm te njohja e ndërsjellë, duke rrëzuar draft-statutet e BE-së dhe duke parandaluar krijimin e një “Republika Srpska” të dytë në Kosovë. Ai paralajmëroi se krijimi i çfarëdo lloj Asociacioni me kompetenca ekzekutive do të ishte kancer për shtetin: “Ligji federal amerikan përfshin garancitë parësore: Nuk lejohet ndryshim kufijsh, nuk lejohet ndarja mbi baza etnike dhe vijon zgjerimi i NATO-s në Ballkan,” përfundoi ai për “Bota sot”.


