Thursday, May 2, 2024
spot_img

Universiteti i Tetovës e shënoi 29-vjetorin e ligjëratave të para

Universiteti i Tetovës e shënoi 29-vjetorin e ligjëratave të para

Universiteti i Tetovës, sot me organizimin e disa aktiviteteve e shënoi përvjetorin e ligjëratave të para. Fillimisht, udhëheqësia e Universitetit e udhëhequr nga Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe Kryetari i Senatit Prof. Dr. Vullnet Ameti, bënë homazhe te busti i dëshmorit të arsimit shqip Abdylselam Emini, ku u përkujtua vepra e tij dhe sakrifica e popullatës shqiptare për universitet në gjuhën shqipe. Më pas, homazhe u bënë edhe te varri i themeluesit, Rektorit të parë dhe historik të UT-së Prof. Dr. Fadil Sulejmani, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për jetën dhe veprën e tij. Po ashtu u vizitua edhe Muzeu historik i Universitetit në fshatin Poroj, ku pikërisht më 17 shkurt 1995, filluan ligjëratat e para të këtij tempulli të dijes.

Në akademinë qendrore kushtuar ligjëratave të para, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli u shpreh se themelimi i Universitetit të Tetovës është ngjarje e madhe historike, sepse ka shënuar kthesë në jetën tonë. Sipas tij, kjo ngjarje ka ndikuar dhe ndikon në vazhdimësi në përparimin shoqëror, kombëtar, arsimor, shkencor, kulturor, shpirtëror dhe intelektual të qytetarëve tanë. “Themelimi i Universiteti të Tetovës ishte hap vendimtar dhe historik i inteligjencies shqiptare në Maqedoninë e Veriut për ta zgjidhur çështjen e arsimit sipëror në gjuhën amtare shqipe. Ky hap vendimtar meriton respektin tonë të përhershëm. Më 17 shkurt të vitit 1995, në Poroj të Tetovës u mbajtën ligjëratat e para në Universitetit të Tetovës. Në të njëjtën ditë, në Reçicë të Vogël, fillimi i ligjëratave u pengua nga policia, gjë që çoi në konfrontim mes banorëve dhe makinerisë policore. Bilanci ishte tragjik. Pati shumë të lënduar dhe të burgosur, por edhe ra dëshmor i arsimit në gjuhën shqipe Abdylselam Emini, emri i të cilit do të kujtohet përgjithmonë. Populli i etur për dije, i pranishëm në Poroj edhe në Reçicë të Vogël, ishte në mbrojtje të Universitetit, përkundër pengesave, përkundër dhunës së ushtruar mbi shqiptarët nga pushteti i kohës. Si shumë herë në histori, edhe këtë herë, u dëshmua se obskurantizmi, herët ose vonë, e humb luftën me dritën e përparimit. Kjo ngjarje shënoi kthesën historike për shqiptarët, të cilët dëshmuan se ishin të paluhatshëm në kërkesat për arsimim në gjuhën amtare. Kjo ditë do të mbetet përgjithmonë e skalitur në kujtesën tonë kolektive. Do të shënohet si fillesë në rrugën e lirisë dhe përparimit.” – tha  Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Ai po ashtu foli edhe për të arriturat dhe mundësitë që Universiteti ynë u ofron studentëve, për të hapëruar drejt rrugës së dijes. “Tridhjetë vjet më pas, Universiteti i Tetovës reflekton fuqishëm në jetën e qytetarëve tanë. Ky universitet i përgatit të rinjtë dhe të rejat jo vetëm për ta dhënë kontributin e tyre në institucionet lokale e rajonale, por edhe në ato ndërkombëtare. U hap të rinjve dhe të rejave perspektiva për të shënuar sa më shumë të arritura profesionale. Universiteti i Tetovës ka shënuar të arritura të konsiderueshme, të dukshme dhe të pakontestueshme, në fushën arsimore, shkencore, kulturore. Ka ndikuar fuqishëm në zhvillimet shoqërore. Ka hapur një perspektivë të re për shoqërinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Universiteti i Tetovës, përkundër pengesave të shumta, që e kanë shoqëruar nga themelimi i tij, arriti ta realizonte misionin parësor –  atë arsimor, shkencor e kulturor. Arriti t’i përmbushte objektivat dhe të formësohej si Universitet publik prestigjioz në kuadër të sistemit arsimor të Maqedonisë së Veriut.” – nënvizoi mes tjerash Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani shpalosi referatin e kësaj date të veçantë duke bërë një retrospektivë të ngjarjeve, peripecive, barrierave, vuajtjeve dhe mundit të dhënë për të themeluar Universitetin e Tetovës. Ai citoi një fjali të shkrimtarit Sami Frashëri i cili thotë se “Njeriun e bëjnë të përjetshëm veprat e tij”. Sipas tij, profesor Fadil Sulejmani është një emër që është i lidhur përjetësisht me UT-në dhe natyrisht se do t`i mungojë këtij Universiteti për jetë e mot. “Universitetet janë të përjetshme, andaj edhe Universiteti i Tetovës gjatë përjetësisë së vet do ta kujtojë e do ta nderojë Rektorin e Parë, Prof. Dr. Fadil Sulejmanin, sepse luftoi me vendosmëri që ne sot të kemi Universitet. Universitetet kurrë nuk u kanë sjellë dëme shoqërive, përkundrazi, ua hapin sytë, ndërsa UT-ja është projekti më i madh i shqiptarëve të këtyre trevave deri më sot. Të nderuar studentë, “Mundësia për të mësuar është dhurata më e çmuar që të jepet.” – Albert Ajnshtajn, ndërsa të jesh student i këtij tempulli të shkencës, të artit dhe të dijes në përgjithësi, është privilegj, sepse sot Universiteti ynë është shndërruar në një gjigant, i cili numëron 13 fakultete, qindra programe studimore, qindra marrëveshje bashkëpunimi me universitete nga vendi, rajoni, Evropa e bota, organizon kongrese e boton revista shkencore të indeksuara në platforma ndërkombëtare dhe me mbi 12-13 mijë studentë. Për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut mbetet krenaria dhe shpresa jonë shekullore.” – theksoi mes tjerash dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani.

Në referatin e tij, dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani shkëputi edhe fjalët antologjike të themeluesit dhe Rektorit të parë të Universitetit, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, që do të lënë gjurmë të pashlyeshme në memorjen e çdo shqiptari.

“NE DUAM LAPS, DUAM TË SHKRUAJMË. NUK DUAM ARMË. Ne kemi zgjedhur rrugën e arsimit. Rruga e arsimit është rruga e paqes, prosperitetit e stabilitetit të Maqedonisë dhe kjo do të fitojë. Ne do ta ndërtojmë një ardhmëri të përbashkët. Prandaj, nuk ka arsye askush të frikësohet nga arsimi, nga shkolla. Po ju lutem, edhe një herë, qetësi, gjakftohtësi, asgjë mos ndërmerrni, studentët le të vazhdojnë mësimin me profesorët dhe pastaj të shpërndahemi!” – ishin fjalët e themeluesit dhe Rektorit të parë të Universitetit, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, të cilat i ka veçuar dekani i Fakultetit Filologjik Prof. Dr. Berton Sulejmani.

Kjo ngjarje u përmbyll me disa pika artistike nga profesoresha e Fakultetit të Arteve, Prof. Dr. Besiana Mehmedi e shoqëruar në piano nga Shkëlzen Baftjari.

 

TE NDRYSHME

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
- Advertisement -spot_img

TE FUNDIT