Humbja e parakohshme e këngëtarit Shpat Kasapi ka kaluar kufijtë e komunitetit shqiptar, duke prekur thellë edhe të huajt që janë njohur me muzikën dhe energjinë e tij.
Një vajzë nga Irani që jeton në Tiranë, Sara Paymán, ka bërë një dedikim tejet emocionues që po qarkullon me shpejtësi në rrjet.
Ajo ka marrë kitarën dhe ka interpretuar në gjuhën shqipe hitin e pavdekshëm të artistit, “Valle Kosovare”.
Krahas videos, Sara ka ndarë historinë prekëse se si kjo këngë e ndihmoi të integrohej kur sapo ishte zhvendosur në Shqipëri. “Herën e parë që e dëgjova këtë këngë, gati sa nuk qava, jo vetëm për shkak të zërit të bukur të Shpat Kasapit, por për mënyrën se si kjo këngë bëri bashkë një grup njerëzish pothuajse të panjohur,” shkruan ajo.
Ajo tregon se në atë kohë nuk dinte fjalët dhe nuk kishte miq, por ishte prekur nga fakti se si kjo këngë “thyente akullin” mes njerëzve. Sara zbuloi gjithashtu se kishte pasur fatin ta takonte Shpatin dhe ta dëgjonte live.
Mesazhi i saj u mbyll me fjalët e ndjera në shqip: “Ngushëllime të sinqerta për gjithë familjen dhe miqtë e tij”, duke dëshmuar se muzika e Shpat Kasapit ishte një gjuhë universale që bashkonte njerëzit pavarësisht kombësisë.

