TETOVË – Drejtori i NPK “Sharri”, Valon Zeqiri, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të fundit politike brenda kampit shqiptar, duke i dalë në mbrojtje të hapur kryetarit të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. Në një mesazh plot ngarkesë emocionale dhe politike, Zeqiri e ka cilësuar Kasamin si një lider stoik që po përballet me “pabesi” nga individë brenda strukturave.
Akuzat për “shfrytëzim të mundit të aktivistëve”
Zeqiri, i cili drejton njërën nga ndërmarrjet më të rëndësishme në Tetovë, nuk ka kursyer kritikat ndaj atyre që i quan “shqipfolës” dhe “tradhtarë”. Sipas tij, disa individë kanë përfituar poste dhe pushtet pa pasur legjitimitet real në zonat ku jetojnë.
“Faji nuk është i yti që u dhe pushtet dhe poste disa shqipfolësve e tradhtarëve të cilët në vitin 2024 nuk patën guximin të dalin e të maten në zonat ku jetojnë, por shfrytëzuan mundin dhe djersën e shumë aktivistëve,” shprehet Zeqiri në reagimin e tij.
Mbështetje e pakursyer për “B.K.”
Në mesazhin e tij, drejtori i NPK “Sharri” inkurajon Kasamin që të vazhdojë rrugën e tij pa u thyer nga sfidat e brendshme, duke rikonfirmuar besnikërinë e tij dhe të strukturës që përfaqëson ndaj liderit të Besës.
“Qëndro i drejtë dhe stoik… Gjithmonë në lëvizjen e duhur B.K,” përfundon ai, duke lënë të kuptohet se radhët e partisë po konsolidohen rreth kryetarit pas vendimeve të fundit për largime apo shkarkime të mundshme.


