Trajneri i ri i ekipit kombëtar të Serbisë, Veljko Paunović, mbajti konferencën e tij të parë për shtyp pas marrjes së detyrës, duke zëvendësuar Dragan Stojkoviç, i cili dha dorëheqjen pas humbjes së Serbisë ndaj Shqipërisë në Leskovc.
Serbia do të përballet me Anglinë në Londër më 13 nëntor dhe Letoninë në Leskovc më 16 nëntor. Aktualisht, kombëtarja serbe ndodhet në vendin e tretë në grup, një pikë pas Shqipërisë dhe tetë më pak se Anglia që kryeson tabelën.
Paunović pranon se lufta për vendin e dytë, që çon në fazën eliminatore, është e vështirë dhe rezultatet e Serbisë nuk varen më vetëm nga loja e tyre:
“Një rezultat i mirë në Londër, që do të ishte gjithçka tjetër përveç një humbjeje, mund të vlente sa floriri. Por, në rast se Shqipëria fiton ndaj Andorrës, edhe një triumf ynë në Wembley mund të mos jetë i mjaftueshëm,” deklaroi trajneri i Serbisë.
Situata e grupit e bën çdo ndeshje vendimtare, ndërsa Paunović kërkon një reagim të fortë nga ekipi i tij për të mbajtur shpresat për fazën eliminatore të gjalla.

