Vincent Kompany, ish-trajneri i skuadrës së Premierligës angleze, Burnley, është emëruar si trajner i ri i Bayern Munichut.
Kontrata me 38-vjeçarin belg është e nënshkruar për tre vjet, deri në verën e vitit 2027.
Kompany pasoi Thomas Tuchel, me të cilin Bayern përfundoi i treti në Bundesligë. Për herë të parë pas 12 vitesh, klubi i famshëm nga Mynihu nuk fitoi asnjë trofe në sezon.
Kompany solli Burnley-n në Premier League një vit më parë, por këtë sezon ata përfunduan në vendin e 19-të dhe ranë nga kategoria. Belgu ka qenë më parë trajner i Anderlehtit.
“Më pëlqen kur skuadra ime ka topin, kur është krijues, por ne duhet të jemi agresivë dhe të guximshëm në fushë. Mezi pres të punoj me lojtarët dhe procesin e ndërtimit të ekipit. Kur ka një themel, suksesi vjen”, tha Kompany për faqen zyrtare të Bayernit.