SHKUP – Kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar ndryshime rrënjësore në strukturën udhëheqëse të partisë dhe në kabinetin qeveritar. Në mbledhjen e Komitetit Qendror, partia do të zgjedhë Komitetin e ri Ekzekutiv (KE) dhe Sekretarin e Përgjithshëm, por me një format të ri: deri në kongresin e vitit 2029, partia nuk do të ketë më nënkryetarë.
Sipas Mickoskit, ish-nënkryetarët do të propozohen si anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, i cili pritet të ketë 29 anëtarë, ku rreth 20-25% do të jenë emra të rinj. Ky vendim synon të krijojë një “fushë të barabartë” për të gjithë kandidatët e mundshëm që aspirojnë lidershipin e partisë në të ardhmen.
Pikat kryesore nga njoftimi:
Riformatimi i partisë: Javën e ardhshme pritet rizgjedhja e komiteteve komunale dhe emërimi i krerëve të komisioneve partiake.
Ndryshimet në Qeveri: Mickoski paralajmëroi një proces selektimi për kandidatë të rinj dhe mundësinë e ndryshimit të resorteve ministrore. Ky proces pritet të përmbylllet deri në muajin maj ose qershor të këtij viti.
Reformat: Kryeministri theksoi se viti 2026 do të jetë vit i reformave domethënëse për qytetarët dhe se pas kompletimit të strukturave partiake, fokusi do të jetë tërësisht në performancën qeveritare.
Në fund të vitit, partia do të nisë edhe procesin e përditësimit të anëtarësisë, ndërsa Mickoski konfirmoi se pas mbledhjes së parë të udhëheqësisë së re, do të udhëtojë drejt Mynihut për aktivitete zyrtare.


