Burime të gazetës KOHA thonë se, në vendimin për t’u mos dhënë leje për aterim të gjashtë aeroplanëve, gisht ka edhe ministri i Transportit, Aleksandër Nikollovski, i cili i ka kërkuar drejtorit Stojanovski që të mos jep leje për fluturimet çarter që transportojnë votues shqiptarë nga diaspora
Vedat MEMEDALIU
Shkup, 31 tetor – Drejtoria e Aviacionit Civil (DAC) ende nuk ka dhënë pëlqim për aterimin e gjashtë aeroplanëve çarter që pritet të mbërrijnë sot dhe nesër nga Dortmundi, Bazeli dhe Cyrihu, të mbushur me votues shqiptarë të diasporës që synojnë të marrin pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në komunat Kërçovë, Strugë dhe Bërvenicë. Sipas informacioneve që ka siguruar gazeta KOHA, drejtori i DAC-së, Dragi Stojanovski, kuadër i VMRO-DPMNE-së, nuk ka dhënë edhe sot asnjë shpjegim për refuzimin e lejeve të aterimit dhe as nuk i është përgjigjur thirrjeve të gazetës për të sqaruar situatën. Burime të gazetës thonë se vendimi për t’u mos dhënë leje është marrë me urdhër të drejtpërdrejtë nga ministri i Transportit, Aleksandër Nikollovski, i cili ka kërkuar që të mos jepen leje për fluturimet çarter që transportojnë votues shqiptarë nga diaspora. Në fakt, bëhet fjalë për agjenci turistike që kanë dorëzuar kërkesat për leje aterimi në mënyrë të rregullt, sipas procedurave ligjore dhe brenda afateve, por deri më tani nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga autoritetet kompetente.
Një ditë më parë, përfaqësues të diasporës shqiptare konfirmuan për KOHA-n se vonesat janë të pazakonta dhe po e pengojnë organizimin e udhëtimit për qindra bashkatdhetarë që kanë planifikuar të votojnë të dielën. “Janë votues kryesisht shqiptarë të organizuar që duan të votojnë në Bërvenicë, Kërçovë dhe Strugë. Agjencitë që organizojnë fluturimet ankohen se, edhe pse kanë dorëzuar kërkesat në kohë dhe me dokumentacion të plotë, përgjigjet mungojnë”, thanë disa prej tyre për KOHA.
Sipas burimeve të gazetës, vonesat janë të qëllimshme dhe përkojnë me përpjekjet e strukturave partiake për të penguar ardhjen e votuesve shqiptarë nga diaspora, të cilët në raundin e parë të zgjedhjeve kishin ndikuar dukshëm në balancat elektorale në komunat me shumicë shqiptare. Në rast se situata nuk ndryshon gjatë ditës së sotme, agjencitë turistike janë duke përgatitur devijimin e fluturimeve drejt Aeroportit të Tiranës dhe atij të Prishtinës.
Sipas të dhënave të KOHA-s, të dy aeroportet janë informuar zyrtarisht për mundësinë e aterimit të këtyre aeroplanëve nëse Shkupi zyrtar vazhdon të mos japë leje për hyrje në hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, komuniteti i diasporës shqiptare, e cilëson këtë si një akt të qëllimshëm pengues, duke e lidhur me frikën e Qeverisë se pjesëmarrja masive e mërgatës mund të ndikojë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në disa komuna kyçe të vendit.
Ata përkujtojnë vitin 2013, kur ministrja e Punëve të Brendshme e asaj kohe, Gordana Jankullovska dhe ministri i Transportit, Mile Janakievski bënin plane për të penguar ardhjen e diasporës shqiptare për të votuar në Kërçovë. Në bisedat e përgjuara që u patën publikuar nga opozita e atëhershme – LSDM, dëgjohej sesi Jankullovska dhe Janakievski mendonin që të shkaktonin aksident trafiku në rrugën Gostivar-Kërçovë dhe të bllokojnë rrugën drejt Kërçovës me qëllim që votuesit shqiptarë nga diaspora të mos mund të votojnë. Madje, planet e shpifura shkonin aq larg saqë thoshin se ndoshta, “duhet minuar mali dhe të bllokohet për dy-tre ditë” rruga Gostivar-Kërçovë dhe ajo Ohër-Kërçovë. (koha.mk)

 
                                    