Kryetari i Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe këshilltar i presidentit Aleksandër Vuçiç për çështjet rajonale, Milosh Vuçeviç, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe bashkëpunimin me ushtrinë shqiptare.
Vuçeviç tha se Kurti “po i tund armët dhe po përpiqet të përshkallëzojë konfliktin në Ballkanin Perëndimor”, duke e cilësuar si një politikë “gjenocidale kundër popullit serb”. Sipas tij, krijimi i aleancave ushtarake mes Kosovës dhe Shqipërisë është një kërcënim i ri i drejtpërdrejtë për Serbinë dhe një hap drejt “Shqipërisë së Madhe”. Ai kritikoi gjithashtu heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe tha se autoritetet në Prishtinë po minojnë Rezolutën 1244 të OKB-së.
Nga ana tjetër, gjatë ditës së sotme, Albin Kurti paralajmëroi një plan investimi mbi 1 miliard euro për ushtrinë në mandatin e ardhshëm qeverisës. Ai tha se Kosova do të zhvillojë dronë ushtarakë “Made in Kosova”, do të funksionalizojë fabrikën e municioneve dhe do të fuqizojë industrinë e mbrojtjes.
“Fuqizimi i ushtrisë do të realizohet përmes blerjes së armatimeve, stërvitjes dhe edukimit brenda vendit, si dhe bashkëpunimit me Shqipërinë dhe akademitë më të shquara ushtarake në vendet partnere”, u shpreh Kurti.