Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shprehu zhgënjimin e tij ndaj administratës së Donald Trump, duke deklaruar se Beogradi priste hapa më të mëdhenj përpara, por deri tani nuk është ndier asnjë ndikim pozitiv. Ai përmendi si goditje sanksionet amerikane ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) dhe tarifat doganore prej 37 për qind mbi produktet serbe, duke theksuar se në momente të vështira Serbia nuk ka gjetur mbështetjen e pritur as nga fuqitë e Lindjes e as nga Bashkimi Evropian.
Gjatë fjalimit në Konferencën e Ambasadorëve në Beograd, Vuçiç hodhi akuza të rënda ndaj vendeve të rajonit, veçanërisht Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, duke i akuzuar ato për krijimin e një “aleance ushtarake” që synon rrezikimin e Serbisë. Ai vuri në dukje se SHBA dhe Turqia po armatosin hapur shqiptarët në Kosovë, ndërsa kritikoi zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak rajonal me Slloveninë dhe Bullgarinë si një fushatë të vazhdueshme kundër popullit serb.
Sa i përket dialogut me Prishtinën, kreu i shtetit serb akuzoi Kosovën dhe fuqitë e mëdha për mosrespektim të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel. Duke sfiduar marrëveshjen e vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve, Vuçiç paralajmëroi se Serbia do të rinisë fushatën e “çnjohjeve” të pavarësisë së Kosovës, duke insistuar se ajo mbetet pjesë e patjetërsueshme e territorit të Serbisë, pavarësisht njohjeve të reja që Kosova mori gjatë vitit 2025.
Pavarësisht presioneve dhe kritikave nga Këshilli i Bashkimit Evropian për ngadalësim të reformave në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, Vuçiç konfirmoi se Serbia do të mbetet në rrugën evropiane si qëllim strategjik. Megjithatë, ai e cilësoi situatën aktuale si një mësim për diplomacinë serbe, duke pranuar se vendi nuk mund të qëndrojë i izoluar, ndërkohë që përballet me sanksione ekonomike dhe rritje të tensioneve ushtarake në Ballkanin Perëndimor. /REL/


