Zëvendëskryeministri Arben Fetai mirëpriti në një vizitë kurtuazie ambasadorin belg, Paul Lambert
Zëvendëskryeministri i Qeverisë, i angazhuar për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, mirëpriti në një vizitë kurtuazie ambasadorin e ri të Mbretërisë së Belgjikës pranë Republikës së Maqedonisë së Veriut, me seli në Sofje, SH.T. z. Paul Lambert.
Gjatë takimit, Fetai dhe Lambert diskutuan për gjetjen e një zgjidhjeje për tejkalimin e kushtit të fundit që pengon fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Zëvendëskryeministri Fetai e informoi ambasadorin Lambert për prioritetet e tij, të fokusuara në luftën kundër korrupsionit, rritjen e transparencës në punën e institucioneve shtetërore, dhe procesin e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me sektorin civil si një partner kyç për zbatimin e reformave dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Takimi shërbeu si një mundësi për shkëmbim mendimesh dhe idesh mbi thellimin e bashkëpunimit midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Belgjikës, veçanërisht në kontekstin e integrimit evropian, si dhe në fushat ekonomike, akademike dhe politike.
Zëvendëskryeministri Fetai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Belgjikës dhe theksoi se marrë parasysh lidhjet e tij të ngushta me Belgjikën, me kënaqësi do të luajë rolin e një ure lidhëse midis dy vendeve.