Zëvendëskryeministri për Politika të Qeverisjes së Mirë Arben Fetai sot priti në takim ambasadoren e Greqisë Sh.S. Sophia Philippidou, së bashku me zëvendësambasadoren znj. Christina Vasilatou. Në fillim të takimit, z. Fetai i uroi mirëseardhje delegacionit grek dhe shprehu falënderim për mbështetjen e vazhdueshme dhe të çmuar të Greqisë në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt integrimit evropian.
Gjatë bisedës u diskutua realizimi i suksesshëm i zgjedhjeve lokale të vitit 2025. Ambasadorja Philippidou përgëzoi qeverinë dhe institucionet për organizimin e zgjedhjeve të lira, fer dhe plotësisht demokratike.
Gjatë takimit u diskutua edhe për perspektivën evropiane të vendit. U shqyrtuan rekomandimet e fundit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian dhe u identifikuan fushat prioritare ku nevojiten përpjekje të shtuara për të çuar përpara procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Palët rikonfirmuan përkushtimin e përbashkët për avancimin e reformave dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh në këtë drejtim.
Zëvendëskryeministri Fetai gjithashtu e njoftoi ambasadoren për punën intensive të Kabinetit të tij, duke nënvizuar rezultatet e arritura në luftën kundër korrupsionit, hulumtimet financiare dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, rritjen e transparencës dhe bashkëpunimin e ngushtë me sektorin civil. U theksua se këto reforma po japin rezultate të prekshme dhe po rrisin besimin e qytetarëve te institucionet.
Palët shprehën kënaqësi për nivelin e lartë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe gatishmërinë për bashkëpunim edhe më të ngushtë në të ardhmen. Greqia vazhdon të jetë një nga mbështetësit më të fortë të Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt familjes evropiane.

