Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka kritikuar vendimin e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, për të anuluar të gjitha aktivitetet partiake të planifikuara për 17 tetorin dhe për të marrë pjesë në protestën në Tiranë, të thirrur nga organizata të dala nga lufta e UÇK-së.
Në një intervistë për gazetën “Lajm” dhe “Lajm TV”, Fetai tha se ky veprim bëhet për “lojra politike” dhe për të grumbulluar vota në prag të raundit të parë të zgjedhjeve lokale, që mbahet pas katër ditësh.
“Besoj se pas protestës së 17 tetorit, Ali Ahmeti nuk ka arsye të kthehet në Shkup, sepse ditën e diel do të pësojë humbje katastrofale. Në fund, duhet të pensionohet, ashtu si shumë figura të konsumuara të BDI-së që garojnë në këto zgjedhje”, deklaroi Fetai.
Zëvendëskryeministri e përshkroi veprimin e Ahmetit si një tentativë për të përdorur aktivitetet politike dhe protestën për përfitime personale dhe politike, duke e paraqitur këtë si strategji për të ndikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale.