Zëvendëskryeministri i Qeverisë Arben Fetai mori pjesë në seancën solemne me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Sot, më 22 Nëntor 2025, Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, mori pjesë në seancën solemne të organizuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Ky është viti i dytë radhazi që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut organizon seancë solemne në Qeveri, më 22 nëntor, me rastin e përvjetorit të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Gjatë fjalimit të tij, Zëvendëskryeministri Fetai theksoi rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit të vitit 1908, i cili shënoi themelimin e identitetit modern shqiptar dhe unifikimin e alfabetit shqip si një nga shtyllat kryesore të kombit. Ai nënvizoi rolin e rilindësve dhe të personalitetit të shquar Mid’hat Frashëri, si dhe rëndësinë e alfabetit si mjet për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe kujtesës kombëtare.

Në fjalimin e tij, Zëvendëskryeministri Fetai theksoi gjithashtu rëndësinë e barazisë gjuhësore dhe promovimit të diversitetit gjuhësor në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke riafirmuar angazhimin e Qeverisë për respektin, kultivimin dhe promovimin e gjuhës shqipe dhe identitetit shqiptar në të gjitha dimensionet e tij.

Në përfundim, ai bëri thirrje për bashkëpunim dhe unitet në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane, duke uruar të gjithë shqiptarëve një Ditë të gëzuar të Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT