Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, znj. Kaltrina Zekolli, zhvilloi sot një vizitë pune në Komunën e Likovës, ku inspektoi nga afër projektet infrastrukturore që janë në proces realizimi në këtë komunë.
Gjatë vizitës, znj. Zekolli u shoqërua nga kandidati për kryetar të Komunës së Likovës, z. Nexhmedin Sadiku, me të cilin bashkëbiseduan për nevojat dhe prioritetet e banorëve të kësaj ane në fushën e infrastrukturës rrugore.
Në kuadër të vizitës, u inspektuan disa projekte të rëndësishme që po realizohen në vendbanimet e komunës, ndër të cilat:
-
Rikonstruimi i rrugëve lokale në vendbanimet Likovë, Nikushtak, Orizarë, Vaksincë dhe Sllupçan, me vlerë investimi prej 110,914,595 denarë;
-
Rikonstruimi i rrugës lokale Glazhnjë – Dumanovcë – Goshincë, në trasen nga KM 1+720 deri në KM 3+720, me vlerë investimi prej 30,657,800 denarë.
Totali i fondeve të dedikuara për këto projekte arrin në 141,572,395 denarë, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe lehtësimit të qarkullimit për qytetarët e Komunës së Likovës.
Zëvendësministrja Zekolli theksoi se investimet në infrastrukturë janë ndër prioritetet kryesore të Qeverisë, me fokus të veçantë në përmirësimin e kushteve të jetesës në komunat rurale.
“Qeveria VLEN po dëshmon me vepra se kujdeset për çdo komunë dhe për çdo qytetar. Investimet që po realizohen në Likovë janë dëshmi e këtij angazhimi”, deklaroi znj. Zekolli.
Nga ana tjetër, kandidati për kryetar të Komunës së Likovës, z. Nexhmedin Sadiku, u shpreh se do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me institucionet qendrore për të sjellë edhe më shumë projekte zhvillimore në komunë.
“Bashkë me Qeverinë VLEN, do të sigurojmë që çdo fshat i Likovës të ketë infrastrukturë moderne dhe kushte më të mira për jetesë”, tha Sadiku.