21 Janari: SPAK dërgon audioregjistrimin në SHBA, familjarët e Aleks Nikës akuzojnë drejtësinë për zvarritje të qëllimshme

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka hedhur një hap të ri në hetimin e tragjedisë së “21 Janarit” duke dërguar për ekspertizë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës materialin audioregjistrues të komunikimeve në radio të Gardës së Republikës, të realizuara gjatë protestës së vitit 2011 ku mbetën të vrarë katër protestues. Megjithatë, ky vendim është pritur me skepticizëm dhe kritika të ashpra nga familjarët e viktimave. Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, deklaroi se ky veprim është i vonuar dhe se prokuroria e ka mbajtur kasetën të bllokuar në sirtarë për një vit e gjysmë me pretekste procedurale, duke argumentuar se dërgimi i provës jashtë vendit mund të jetë një manovër e qëllimshme për të zvarritur më tej procesin hetimor.

 

Sipas familjarëve, ekziston një frikë e dukshme brenda sistemit të drejtësisë për të shkuar tek urdhëruesit e vërtetë të vrasjeve shtetërore, me dyshimin se hetimi po tentohet të kanalizohet vetëm drejt personave të rangut dytësor apo ndonjë gardisti individual. Që nga korriku i vitit 2024, kur SPAK regjistroi çështjen pas vendimit të Gjykatës së Lartë, janë marrë në pyetje figura të larta politike të asaj kohe, përfshirë Bamir Topin, Lulzim Bashën, Ilir Metën dhe ish-kryeministrin Sali Berisha në nëntor të vitit të kaluar. Pavarësisht këtyre dëshmive, pala e dëmtuar këmbëngul se drejtësia po tregohet e pafuqishme përballë përgjegjësisë zyrtare të udhëheqësve të atëhershëm, duke kërkuar që zbardhja e komunikimeve të Ndrea Prendit dhe zinxhirit komandues të zbulojë të vërtetën e plotë pa u mbyllur çështja me dënime sipërfaqësore.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT