Tiranë, 11 shkurt 2026 – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përshëndetur konstituimin e Legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Kosovës, duke u uruar punime të mbara deputetëve të sapozgjedhur pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Përmes një mesazhi zyrtar, kreu i shtetit shqiptar i ka dërguar urime të veçanta kryetares së re të Kuvendit, Albulena Haxhiu, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për stabilitetin dhe proceset integruese të Kosovës.
“Shqipëria do të vijojë të qëndrojë pranë Kosovës, në mbështetje të institucioneve demokratike të saj dhe rrugëtimit Euroatlantik!”, u shpreh Presidenti Begaj në mesazhin e tij.
Konstituimi i sotëm i Kuvendit hap rrugën për formimin e kabinetit të ri qeveritar, një proces që pritet të finalizohet po gjatë ditës së sotme.


