Shkëndija sjell ndeshje të re evropiane në vendin tonë kur të enjten në Shkup përballemi me Samsunsporin e Turqisë në kuadër të fazës së eliminimit të UEFA Conference League. Para mediave folën trajneri Beqiri dhe kapiteni Ibraimi.
• Beqiri: Është diçka e mrekullueshme të jemi në Evropë në këtë fazë të vitit
• Ibraimi: Jemi në moment shumë të mirë, nisëm vitin me dy fitore në kampionat
• Beqiri: Ndryshimi i trajnerit te Samsunspor na vështirëson analizën e ndeshjes
• Ibraimi: Kemi arritur diçka të madhe, por pse mos provojmë të bëjmë diçka më shumë
• Beqiri: Samsunspori është ndër rivalët më të fortë, por kemi luajtur me dy skuadra më të forta se truqit
Pas startit perfekt të kampionatit vendor me dy fitore (Struga 2:0 dhe Tikveshi 4:1), Shkëndija tashmë në ”menu” ka ndeshje evropiane. Kuqezinjtë pasi kaluan me sukses fazën e ligës në UEFA Conference League, mbrëmjen e të enjtes përballen me Samsunsporin e Turqisë në fazën e play offit apo ndryshe të njohur si faza e knock-out. Shkëndija sonte zhvillon seancën e fundit stërvitore, derisa takimi do të zhvillohet në arenën “Todor Proeski” të Shkupit të enjten me fillim në orën 21:00.
Jeton Beqiri: “Sa i përket përgatitjeve të ndeshjes, normalisht është vështirësuar puna për neve, pasi skuadra kundërshtare vetëm para kësaj ndeshje kanë ndryshuar trajner, që do të thotë se ndryshimet janë të mundshme dhe të paparashikueshme. Ne gjithsesi kemi ndjekur ndeshjet e tyre, do të shikojmë edhe diçka sa i përket stilit të trajnerit ku ka punuar me skuadra tjera. Por, e rëndësishme për të gjithë ne, edhe për futbollistët, për klubin dhe tifozët si fillim ta shijojmë si ndeshje, pastaj të japim maksimumin dhe ta luftojmë shumë si ndeshje. Duke respektuar në maksimum kundërshtarin dhe në bazë të Ligës në të cilën luajmë, ne ua japim rolin e favoritit kundërshtarit”.
Besart Ibraimi: “Kemi një atmosferë të mirë dhe jemi në një moment shumë të mirë pasi vijmë pas dy fitoreve. Jemi përgatitur për këtë ndeshje, do të jetë një sfidë e vështirë, ku e dimë kundërshtarin. Sa i përket tifozerisë, shpresojmë të jetë një numër sa ma i madh, e kemi thënë çdo herë se ato janë përkrahja jonë më e rëndësishme dhe nesër presim që ato të jenë në nivelin e tyre”.
Jeton Beqiri: “Mendoj që ekipi i Samsunsporit është një nga skuadrat më të mirat që ne jemi përballur deri më tani. Nuk mendoj se është skuadra më cilësore, pasi mendoj dy skuadra tjera janë më të cilësore se Samsunspori, por për çështje korrektise nuk do të përmendi emrat e tyre. Është vështirësuar situata me ndërrimin e trajnerit për shkak se nuk e dimë mënyrën e lojës apo formacionin edhe filozofisë. Ne jemi duke analizuar edhe lojën e trajnerit me skuadrat tjera dhe do të mundohemi që ekipi jonë pikë së pari duhet të shikojë situatën tonë, të shohim që ne të paraqitemi mirë, ku realisht në minutat e para duhet të jemi shumë të kujdesshëm, duhet të luftojmë në çdo pjesë të fushës. Normalisht edhe të luajmë, ta shijojmë dhe në momente të veçanta të jemi ofanziv, të jemi të rrezikshëm. Ne jemi këtu për atë shkak se nuk kemi respektuar disa skuadra që gjithashtu kanë qenë shumë cilësore dhe të shtrenjta në letër”.
Besart Ibraimi: “Të them të drejtën se ëndrra është realizuar, por njeriu është krijuar që dëshiron çdo herë më shumë e më shumë. Ne jemi të gatshëm nesër ta japim më të mirën edhe pse jo mos të besojmë në diçka më të mirë”.
Jeton Beqiri: “Mendoj që në ndeshjen e kthimit do të vendoset se cila skuadër do të vazhdojë më tutje. Normal se mungesat e ekipit kundërshtarë ndonjëherë janë pozitive për ne, ndonjëherë janë edhe negative, pasi ata posedojnë më shumë futbollist. Gjithashtu edhe ne kemi mungesa të rëndësishme në skuadër. Besoj që çdo futbollist që nesër del në fushë, si ato nga fillimi, si ato që do të aktivizohen nga pankina, do të japin maksimumin. Unë parashikojë një spektakël futbolli, ku ne duhet të japim maksimumin, duhet të jemi më këmbë në tokë gjithsesi, por edhe krenar dhe asnjë moment të dorëzuar”.
Besart Ibraimi: “U uroj të gjithë besimtarëve mysliman muajin e Ramazanit. Sa i përket pyetjes, normal në stërvitje e kemi të lehtë dhe mund të mbajmë agjërim, teksa në ndeshje është pak më vështirë dhe jemi kolektiv, por do ta analizojmë secili përvete dhe do të veprojmë si është më mirë”.
Jeton Beqiri: “Ky orar i ngjeshur është për shkak të ndeshjeve europiane. Normalisht se bisedohet për ndeshje të intenzitetit të lartë dhe që do të ketë ndikim në formën e futbollistëve. Ne kemi një grup të futbollistëve cilësor, besoj që do ta përballojnë. Ne duhet të respektojmë orarin dhe të luajmë në maksimumin e mundshëm në çdo ndeshje. Unë shpresoj se ne veprojmë të njejtën gjë”.


