​Zv. Drejtori Mustafa Dauti: BDI-ja e sotshme dështoi në protestën kundër dështimeve të BDI-së së djeshme!

TETOVË – Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave, Mustafa Dauti, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike, duke vlerësuar se protesta e organizuar nga BDI-ja është pasqyrë e qartë e dështimit të kësaj partie pas dy dekadash qeverisjeje.

 

​Sipas Dautit, BDI-ja, e cila për vite me radhë kishte shndërruar pushtetin në “pashallëk”, tani po përballet me revoltën e merituar të qytetarëve. Ai thekson se protesta e mbrëmshme në Tetovë ishte dëshmi se populli është i lodhur nga mashtrimet e përsëritura.

​”BDI-së i pëlqeu protesta kundër vetes. Pas dy daljeve radhazi për një problem që vetë e kishin krijuar, fituan vetëbesim të gabuar. Por qytetarët e Tetovës i dëbuan nga pushteti që në vitin 2021. Siç dështuan në zgjedhje, po dështojnë edhe në protesta,” u shpreh Dauti.

​Dauti vuri në dukje se ndërsa subjekti që ishte më gjatë në pushtet po braktiset nga populli, koalicioni VLEN po punon me dinjitet dhe përgjegjësi për të rregulluar ato që ishin lënë shkel e shko për 22 vite. Ai solli si shembull konkret çështjen e emrave të rrugëve në Tetovë.

​”Për 22 vite pushtet, ata nuk i bënë me ligj emrat e rrugëve, por gjithçka e lanë shkel e shko. VLEN do t’i bëjë me ligj, që ato rrugë me emra shqip askush të mos mundet t’i kontestojë apo t’i rrëzojë më,” potencoi zëvendësdrejtori i Doganave.

​Ai shtoi se ndryshimi është i dukshëm edhe në nivel lokal, ku komunat e udhëhequra nga VLEN po transformohen përmes projekteve të dobishme, ndryshe nga periudha kur komunat “kundërmonin nga mbeturinat”.

​”Nëse BDI mendon që ndjesinë kombëtare e ka më të fortë se VLEN-i, gabon rëndë. Shqiptaria nuk matet me fjalë, por me vepra. VLEN është e tashmja dhe e ardhmja e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, pasi ne po punojmë drejt të drejtave të plota dhe zgjidhjeve të vërteta,” përfundoi Dauti.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT