19 shkurt 2026 – Lëvizja VLEN ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Administratës, Minçev, duke e akuzuar për përjashtim të qëllimshëm të gjuhës shqipe nga proceset institucionale.
Sipas reagimit, mbledhja e sotme për zgjedhjen e kryesuesit të Inspektorëve është zhvilluar vetëm në gjuhën maqedonase, pa respektuar dygjuhësinë e garantuar me ligj. Në shenjë proteste, drejtorët shqiptarë kanë refuzuar të marrin pjesë, duke vendosur kusht të qartë: pa përdorimin e gjuhës shqipe, nuk ka mbledhje.
“Pa shqip, nuk ka mbledhje,” thekson VLEN, duke rikujtuar se nga 16 drejtues të inspektorateve, 10 janë shqiptarë dhe 6 maqedonas – një realitet që, sipas tyre, po injorohet me arrogancë nga ministri.
VLEN paralajmëron se çdo mbledhje e zhvilluar pa respektimin e gjuhës shqipe është e pavlefshme, duke theksuar se dygjuhësia nuk është çështje vullneti politik, por detyrim ligjor dhe kushtetues.
“Ne jemi në pushtet për të garantuar barazi dhe dinjitet. Koha kur shqiptarët trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë ka përfunduar,” thuhet në reagim.
Ky qëndrim i VLEN-it vjen si mesazh i qartë se administrata nuk mund të funksionojë mbi baza diskriminuese dhe se shqiptarët do të kenë zërin e tyre në çdo institucion të shtetit.


