Krizë me ujin e pijshëm në Shum: Kryetari Qyra kërkon përgjegjësi penale për dëmtuesit

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Komunal të Strugës, kryetari Mendi Qyra paraqiti raportin mbi gjendjen alarmante të ujit të pijshëm në fshatin Shum. Sipas ekspertëve, situata është rezultat i dy faktorëve kryesorë: natyror dhe njerëzor, ku i dyti konsiderohet si shkaktari kryesor i ndotjes.

 

Qyra theksoi se menjëherë pas paraqitjes së problemit janë ndërmarrë masa urgjente, duke përfshirë njoftimin e inspektorateve kompetente, policisë, prokurorisë, kompanive që kryenin gërmime, si dhe informimin e qytetarëve dhe mediave. Për të analizuar gjendjen, është angazhuar kompania private “Geo Ing”, ndërsa profesorë dhe ekspertë të ndërtimtarisë kanë kontribuar vullnetarisht.

Nga inspektimet në terren është konstatuar se gërmimet e kryera nga dy kompani ndër vite kanë shkaktuar dëme të mëdha në burimin e ujit, duke rrezikuar seriozisht ekosistemin. Kryetari Qyra akuzoi drejtuesit e mëparshëm komunal dhe institucionet përkatëse për mosveprim dhe lejimin e gërmimeve pa kritere për më shumë se një dekadë.

“Dëmi është bërë dhe tani duhet urgjentisht të merren masa për riparimin e situatës, pa lënë anash përgjegjësinë penale të fajtorëve, sepse kemi të bëjmë me një çështje jetike për shëndetin dhe jetën e qytetarëve,” deklaroi Qyra, duke shtuar se rastet e tilla nuk duhet të përsëriten më.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT