BE: Sistemi i drejtësisë në Kosovë duhet të pasqyrojë diversitetin etnik – Brukseli i shqetësuar për shkarkimin e prokurorëve serbë

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të hapur lidhur me dekretin e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës për shkarkimin e prokurorëve serbë, si dhe për vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për të mos pranuar tërheqjen e dorëheqjeve të tyre, përcjell KohaNEWS.

 

Nëpërmjet një komunikate për media, zëdhënësja e BE-së ka theksuar se këto veprime “duken të papajtueshme me ligjin, me procesin e rregullt ligjor dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë”.

Duke mirëpritur faktin që gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës serb kanë tërhequr dorëheqjet e tyre, Brukseli ka përsëritur thirrjen që autoritetet në Prishtinë të lejojnë riintegrimin e tyre, në përputhje me ligjet vendase dhe marrëveshjet e dala nga dialogu.

“BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse të përmbahen nga veprimet që synojnë pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës. Sipas Kushtetutës, Kosova është një shoqëri shumetnike e bazuar në sundimin e ligjit dhe sistemi i saj i drejtësisë duhet të pasqyrojë diversitetin etnik të vendit,” thuhet në deklaratë.

/KohaNEWS

TË NDRYSHME

TË FUNDIT