Komuna e Vrapçishtit është përfshirë nga një valë e re investimesh infrastrukturore, falë mbështetjes së Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, përcjell KohaNEWS.
Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, sot ka zhvilluar një vizitë pune në Vrapçisht, ku së bashku me kryetarin e komunës, Isen Shabani, kanë inspektuar nga afër ecurinë e punimeve për 11 projekte me vlerë totale prej 2 milionë eurosh, të cilat synojnë përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së jetës për banorët e kësaj ane.
Gjatë vizitës u konfirmua se mbështetja ndaj komunave vazhdon me intensitet, duke dëshmuar se premtimet po shndërrohen në vepra konkrete. Ndër punimet e përfunduara me sukses përfshihen:
-
Rikonstruksioni i rrugës banesore 4 në vendbanimin Gradec.
-
Rikonstruksioni i rrugëve në vendbanimin Dobërdoll.
-
Rekonstruksioni i rrugëve hyrëse 1 dhe 2 në vendbanimin Gradec.
Ndërkohë, po vijojnë me intensitet edhe punimet për projektet e tjera që janë aktualisht në fazën e realizimit:
-
Rikonstruksioni i rrugës 364 në fshatin Senokos.
-
Rikonstruksioni i rrugëve në vendbanimin Toplicë.
-
Rikonstruksioni i rrugës lokale nga vendbanimi Negotinë deri te burimi i ujit mineral (Uji i Tharët) – Faza e parë.
Këto investime dëshmojnë përkushtimin e vazhdueshëm institucional për të mbështetur komunat dhe për të sjellë zhvillim përmes projekteve infrastrukturore që u shërbejnë drejtpërdrejt qytetarëve.
/KohaNEWS


