Partia Lëvizja e Legalitetit në Shqipëri ka kujtuar sot, më 20 Shkurt, ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, duke e cilësuar si një akt historik që shënoi fundin moral të një epoke diktatoriale, transmeton KohaNews.
Në kumtesën e saj, PLL thekson se kjo ditë mbetet një gur themeli i mesazhit se frika mund dhe duhet të mposhtet, ndërsa liria nis me akt guximi. Rrëzimi i bustit u përjetua si çlirim shpirtëror dhe lindje shprese për demokraci, por sipas partisë, tranzicioni i gjatë nuk solli transformimin e thellë që populli ëndërronte. Strukturat dhe mendësia e regjimit mbetën të gjalla, duke penguar ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe vendosjen e standardeve demokratike.
PLL nënvizon se pas 35 vitesh, sfida për ndryshim mbetet aktuale. “Të guxojmë dhe të veprojmë sot për një të nesërme më të mirë,” është thirrja që partia përcjell në këtë përvjetor.
/KohaNews


