Procedurat administrative për ndërtimin e pjesës së dytë të autostradës Shkup-Bllacë kanë hyrë në fazën finale. Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, konfirmoi se procesi i tenderimit dhe evaluimit ka përfunduar me sukses nga ana e institucioneve vendase.
Aktualisht, i gjithë dokumentacioni është dorëzuar pranë Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila siguron një pjesë të financimit përmes kredisë dhe grantit. Sapo të merret konfirmimi zyrtar nga BERZH, ekipet do të nisin menjëherë punimet në terren.
Sipas Zekolli Shaqirit, nuk priten vërejtje apo pengesa të reja, duke bërë të ditur se nisja e punimeve në këtë aks rrugor strategjik është tashmë çështje kohe.


