Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka bërë thirrje për maturi dhe respektim të drejtësisë lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Hagës.
“Gjykata është e pavarur dhe funksionon me ligjet e Kosovës”
Në një intervistë për RTK, diplomati gjerman theksoi se Gjermania e përcjell me vëmendje të shtuar procesin e gjykimit. Ai rikujtoi se Dhomat Speciale janë institucione të posaçme që operojnë sipas kornizës ligjore të vetë Kosovës.
“Siç e thashë, Dhomat Speciale janë institucione të posaçme që funksionojnë me Ligjin e Kosovës. Normalisht që i përcjellim këto procedura,” u shpreh Rudolph.
[Image: Ambasadori gjerman Rainer Rudolph gjatë intervistës në RTK]
Thirrja për pranimin e vendimit final
Teksa gjyqi po shkon drejt fazave përmbyllëse, Ambasadori Rudolph kërkoi nga të gjitha palët dhe opinioni publik që të respektojnë verdiktin final të trupit gjykues, pavarësisht rezultatit.
“Cilido të jetë rezultati, qoftë nëse ka dënime apo lirime nga akuza, do t’ju kërkoja të gjithëve që ta pranojnë vendimin e një gjykate të pavarur”, deklaroi ambasadori gjerman.


