BE propozon masa konkrete për krizën energjetike: Punë nga shtëpia dhe reduktim i përdorimit të makinave

BRUKSEL – Evropa po kupton se kriza energjetike nuk është më një problem i largët, por një kërcënim i drejtpërdrejtë i përditshmërisë. Brukseli nuk po mjaftohet më vetëm me paralajmërime për rritjen e çmimeve të naftës dhe gazit; tashmë qytetarët dhe qeveritë duhet të ndryshojnë mënyrën e jetesës për të zbutur goditjen ekonomike.

 

Bashkimi Evropian ndodhet nën presionin e paqëndrueshmërisë globale, si pasojë e vazhdimit të konfliktit me Iranin. Eurokomisioneri për Energjinë, Dan Jørgensen, ka qenë i prerë në deklaratën e tij: “Situata është shumë serioze dhe pasojat nuk do të jenë afatshkurtra”.

Që nga fillimi i krizës, çmimet e gazit në BE janë rritur me rreth 70%, ndërsa ato të naftës me 60%. Kjo ka rritur faturën e importit të lëndëve djegëse fosile me 14 miliardë euro vetëm gjatë muajve të fundit.

Plani me 10 pika i IEA-s

Si përgjigje ndaj kësaj situate, Komisioni Evropian po inkurajon vendet anëtare të ndjekin planin prej 10 pikash të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA). Propozimet janë konkrete dhe përfshijnë:

  • Shtim të punës nga shtëpia;

  • Reduktim të shpejtësisë në autostrada;

  • Përdorim më të madh të transportit publik;

  • Bashkëudhëtim me makina (car-sharing);

  • Zbatimin e shprehive më efikase gjatë vozitjes.

Sipas IEA-s, masa të tilla mund të zvogëlojnë shokun e konsumit dhe t’u japin frymëmarrje konsumatorëve në kohën e rritjeve të menjëhershme të çmimeve.

Rreziku i mungesës së derivateve

Jørgensen pranon se nuk ka një “zgjidhje universale”, por mesazhi nga Brukseli është i qartë: zgjidhjet e fragmentuara kombëtare mund të destabilizojnë balancën e brishtë energjetike në BE.

Përveç rritjes së çmimeve, problemi është më i thellë. Infrastruktura evropiane rreth Gjirit Persik është dëmtuar dhe zinxhirët e furnizimit janë ndërprerë. Agjencia Reuters raporton se BE-ja po shqyrton të gjitha opsionet, përfshirë racionalizimin e karburantit dhe lëshimin e rezervave strategjike nëse gjendja përkeqësohet.

Kreu i IEA-s, Fatih Birol, paralajmëron se prilli do të tregojë forcën e vërtetë të goditjes, me mungesa të mundshme të naftës diesel dhe karburantit për avionë, ndërkohë që deri më tani janë humbur më shumë se 12 milionë fuçi naftë.

Nevoja për pavarësi energjetike

Përtej masave afatshkurtra, Brukseli po kërkon zgjidhje afatgjata. Jørgensen bëri thirrje për dyfishim të investimeve në burimet e rinovueshme, duke argumentuar se varësia nga importet fosile e bën Evropën të cenueshme.

Skenat e sotme po i kujtojnë Evropës vitin 2022, kur faturat e larta të energjisë u bënë sfidë e përditshme. Përfundimi i Brukselit është se kursimi i burimeve energjetike nuk është më vetëm një opsion ekologjik, por një domosdoshmëri ekonomike. Sa më gjatë të zgjasë konflikti në Lindjen e Mesme, aq më shumë ka gjasa që puna nga shtëpia dhe reduktimi i vozitjes të bëhen “përditshmëria e re” e Evropës.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT