Aliu: Punonjësit e “Komunalec” në Gostivar pas 13 vitesh marrin sigurim shëndetësor, korrigjuam një padrejtësi sistematike

GOSTIVAR – Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me drejtorin e Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSHP), Sasho Klekovski, kanë njoftuar sot nga Gostivari fundin e një drame 13-vjeçare për punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Komunalec”.

 

Përmes një marrëveshjeje të re për shlyerjen e borxhit me këste, 109 punonjës të kësaj ndërmarrjeje, të cilët që nga viti 2013 ishin lënë pa sigurim shëndetësor, tashmë do të gëzojnë të drejtën e tyre ligjore për shërbime mjekësore.

Fundi i injorimit institucional

Ministri Aliu theksoi se ky grup punonjësish u ndëshkua padrejtësisht për vite me radhë, jo për fajin e tyre, por si pasojë e neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së institucioneve që duhej ta zgjidhnin këtë problem më herët.

“Sot jemi këtu për të njoftuar korrigjimin e një padrejtësie të gjatë sistematike. 109 punonjës të NP ‘Komunalec’ në Gostivar, që nga viti 2013, u lanë pa sigurim shëndetësor për shkak të heshtjes dhe injorimit institucional. Me vendimin e Fondit për të lidhur marrëveshje për shlyerjen e borxhit, ne po i japim fund një gjendjeje që nuk duhej të ekzistonte kurrë,” deklaroi ministri Aliu.

Sigurimi shëndetësor: E drejtë, jo privilegj

Gjatë deklaratës për mediat, u nënvizua se kthimi i sigurimit shëndetësor nuk është një “dhuratë”, por një e drejtë themelore njerëzore e garantuar me ligj.

Aliu dërgoi një mesazh të qartë se punëtori nuk duhet të paguajë çmimin e pasivitetit të sistemit. “Askush që i shërben çdo ditë qytetit të tij nuk guxon të mbetet pa siguri shëndetësore vetëm sepse dikush me vite i ka ikur përgjegjësisë,” përfundoi ai.

Ky hap vlerësohet si një kthesë e rëndësishme për stabilitetin social të punonjësve të ndërmarrjeve publike në Gostivar dhe një tregues i angazhimit të dikasterit të shëndetësisë për zgjidhjen e problemeve të trashëguara.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT