Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Europe House dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian, në bashkëpunim me Asociacionin Rajonal Rinor Arsimor Rom “Rromassn” dhe Komunën e Kumanovës, organizuan panel-diskutimin “Real Talk: Roma Youth“.
Përmes panel-diskutimit, të rinjtë pjesëmarrës ndanë histori personale dhe reflektime mbi arsimin, mundësitë dhe sfidat me të cilat përballen sot. Diskutimi hapi tema që lidhen me mundësitë e barabarta, qasjen në arsim dhe pjesëmarrjen aktive.
Në këtë ngjarje u drejtuan para të pranishmëve kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, si dhe Ben Nupnau, ushtrues detyre ambasador i Delegacionit të Bashkimit Evropian.
Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, theksoi „Integrimi i romëve nënkupton arsim, mundësi të barabarta dhe jetë me dinjitet. Kumanova e ndërton zhvillimin e saj si një komunitet multietnik ku të gjithë qytetarët ndihen të barabartë.” Ben Nupnau theksoi, „Përfshirja e romëve nuk është vetëm një çështje që i prek romët. Ajo është tregues se sa realisht i jetojmë vlerat dhe angazhimet tona dhe nëse arrijmë të ndërtojmë një shoqëri të barabartë për të gjithë, ku diversiteti respektohet dhe pranohet.” Ai shtoi se në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Evropian vazhdimisht mbështet përfshirjen e komunitetit rom përmes projekteve në arsim, punësim, strehim dhe qasje në shërbime shëndetësore.
Në panel-diskutim morën pjesë Edis Eminoski, student dhe aktivist i ri rom; Igbal Saidova, studente dhe aktore; Emil Ademovski, aktivist i ri dhe dizajner grafik; Almira Fasliji Muarem, gazetare dhe aktiviste; si dhe Idris Kalov, mësues i gjuhës rome dhe gjermane dhe aktivist. Përvojat e tyre personale dhe profesionale ofruan perspektiva të ndryshme mbi sfidat, por edhe mundësitë për përparimin e komunitetit rom.
Folësit theksuan mungesën e mundësive të barabarta në punësim dhe rëndësinë e shembujve pozitivë të dukshëm në komunitet. Disa prej tyre ndanë përvoja me diskriminimin që në moshë të hershme, duke theksuar se për herë të parë janë përballur me paragjykime gjatë pjesëmarrjes në aktivitete në një mjedis multietnik. Në vend që t’i dekurajonin, këto përvoja i kanë motivuar edhe më shumë për të dëshmuar veten dhe për të arritur qëllimet e tyre.
Në diskutim u ndanë edhe shembuj pozitivë të pranimit dhe mbështetjes në sistemin arsimor, të cilët kanë kontribuar në zhvillimin personal dhe profesional. Disa nga të rinjtë sot janë të suksesshëm në fushat e tyre, përfshirë edhe studimet jashtë vendit, por ajo që i bashkon është angazhimi aktiv qytetar dhe përkushtimi për avancimin e të drejtave të romëve, me një ambicie të qartë për të qenë shembull për gjeneratat e ardhshme.


