Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar se i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner planifikojnë të vizitojnë Ukrainën. Megjithatë, ai sqaroi se data e saktë e kësaj vizite ende nuk është caktuar.
Gjatë një konference për media në Oslo, pas takimit me kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Støre, Zelensky bëri të ditur se ky vullnet për vizitë është shprehur gjatë bisedave të realizuara në fillim të prillit.
“Nuk kemi informacione se kur do të vijnë saktësisht. Biseda ishte pozitive dhe ata konfirmuan se do të vijnë,” u shpreh Zelensky.
Sipas presidentit ukrainas, kjo vizitë është mjaft e rëndësishme për t’i dhënë një mesazh opinionit publik në Ukrainë, sidomos pas vizitave që Witkoff dhe Kushner kanë realizuar paraprakisht në Moskë. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e mbajtjes së kontakteve të vazhdueshme me përfaqësuesit amerikanë.


