Muçi “në ajër”: Shqiptari nuk rrezikon këmbët pa u zgjidhur kontrata me Beshiktashin

Trabzon, 20 prill 2026 – Barazimi 1-1 i Trabzonsporit ndaj Bashakshehirit nuk ka kaluar pa polemika, por këtë herë në qendër të vëmendjes nuk është rezultati, por Ernest Muçi. Sulmuesi shqiptar, i cili sapo ishte kthyer nga një dëmtim, mbeti në pankinë gjatë gjithë ndeshjes, duke ndezur diskutime të forta mbi arsyet e këtij vendimi.

 

“A ndjehesh rehat?” – Pyetja që mori përgjigje negative

Mediat turke raportojnë për një prapaskenë mes lojtarit dhe trajnerit Fatih Tekke. Sipas tyre, trajneri e ka pyetur Muçin nëse mund të kontribuonte për 10-15 minutat e fundit të takimit, por përgjigjja e shqiptarit ka qenë “Jo”. Kjo “rehati” e Muçit ka bërë që ai të mos prekte fushën, pavarësisht nevojës së ekipit për gola.

Aludimet: Shkak dëmtimi apo e ardhmja e pasigurt?

Analistët në Turqi kanë ngritur dy hipoteza mbi këtë refuzim:

  1. Rreziku nga dëmtimi: Muçi mund të mos ketë dashur të rrezikojë një rikthim të parakohshëm që mund ta linte jashtë fushave për një kohë të gjatë.

  2. Situata kontraktuale: Aludohet se sulmuesi është i pakënaqur me paqartësinë për të ardhmen e tij. Meqenëse Trabzonspor ende nuk ka zyrtarizuar blerjen e kartonit nga Beshiktashi, Muçi thuhet se ka zgjedhur të jetë “shumë i kujdesshëm” për të mos prishur planet e një transferimi të mundshëm në fund të sezonit.

Kjo situatë ka krijuar një krisje të vogël në ambientin e klubit, ku tifozët presin më shumë përkushtim në një fazë kur luhet për kualifikimin në Ligën e Kampioneve.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT