45 vjet nga qëndresa e familjes Meha në Prekaz: Dita kur Tahir e Nebih Meha sfiduan Jugosllavinë

PREKAZ, 13 maj 2026 – Sot mbushen 45 vite nga rënia heroike e Tahir dhe Nebih Mehës, të cilët më 13 maj të vitit 1981, u bënë simboli i parë i rezistencës së armatosur kundër pushtimit jugosllav në historinë moderne të Kosovës. Në fshatin Prekaz të Drenicës, babë e bir luftuan dhëmbë për dhëmbë me njësitë speciale të milicisë jugosllave, duke shënuar një kthesë historike në lëvizjen për liri.

 

Në kohën kur e tërë Kosova ndodhej nën një rrethim të hekurt pas demonstratave mbarëpopullore të marsit dhe prillit të atij viti për kërkesën “Kosova Republikë”, forcat jugosllave kishin rrethuar kullën e Mehajve për të shtypur frymën e qëndresës. Megjithatë, ata hasën në një rezistencë të papritur dhe të pashembullt që zgjati për plot 17 orë rresht.

Sipas shënimeve të kohës dhe komunikatave zyrtare, nga kjo betejë e pabarabartë mbetën të vrarë 5 pjesëtarë të forcave jugosllave dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, përpara se Tahir dhe Nebih Meha të binin për të mos vdekur kurrë në altarin e lirisë. Akti i tyre vlerësohet si pararendësi i luftës çlirimtare dhe frymëzimi që mbajti gjallë idealin për pavarësinë e Kosovës.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT