Sipas një raporti ekskluziv të medias amerikane Axios, Kuba ka siguruar një flotë prej të paktën 300 dronësh ushtarakë nga Irani dhe Rusia, të cilët mund të përdoren për sulme të mundshme ndaj bazës detare amerikane në Gjirin e Guantanamos, anijeve të SHBA-së në Karaibe dhe pikës më jugore të territorit kontinental amerikan. Inteligjenca e Uashingtonit sinjalizon se që nga viti 2023, Havana zyrtare ka blerë dronë sulmi dhe se shërbimet kubane të inteligjencës kanë studiuar nga afër strategjitë iraniane të përballjes me SHBA-në, ndërsa këshilltarë ushtarakë nga Teherani janë parë së fundmi në kryeqytetin kuban.
Ky rrezik asimetrik vjen në një kohë kur prania e fuqive rivale në ishull është rritur ndjeshëm. Raporti i inteligjencës nënvizon se Rusia dhe Kina menaxhojnë objekte spiunazhi në Kubë për mbledhjen e të dhënave sensitive. Për më tepër, zyrtarët amerikanë vlerësojnë se rreth 5,000 ushtarë kubanë kanë luftuar në krah të Rusisë në Ukrainë; pas kthimit të tyre në atdhe, këta veteranë po përdoren për të trajnuar ushtrinë vendase mbi taktikat e luftës moderne dhe përdorimin intensiv të mjeteve fluturuese pa pilot (UAV).
Kolapsi ekonomik dhe presioni i lartë nga Uashingtoni
Përshkallëzimi ushtarak po ndodh në sfondin e një krize humanitare dhe energjetike të paprecedentë në Kubë:
-
Errësirë totale: Rrjeti elektrik i vendit ka pësuar kolaps ditët e fundit, duke lënë pjesën më të madhe të ishullit pa energji deri në 20 orë në ditë.
-
Bllokada e karburantit: Situata u rëndua pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi me sanaksione çdo shtet që furnizon Kubën, gjë që detyroi Venezuelën dhe Meksikën të reduktojnë drastikisht dërgesat e naftës.
-
Synimi për ndryshim regjimi: Trump ka deklaruar hapur se pret “kolapsin” e qeverisë komuniste, duke kërkuar një reformim rrënjësor të sistemit politik në ishull.
Mesazhi i prerë i CIA-s dhe precedentët historikë
Gjatë një vizite të fshehtë në Havana, Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, i ka përcjellë autoriteteve kubane mesazhin e prerë se Uashingtoni do të ofrojë bashkëpunim dhe ndihmë vetëm nëse ndërmerren “ndryshime themelore”. Paralelisht, Departamenti Amerikan i Drejtësisë po bëhet gati të ngrejë akuza zyrtare ndaj Raul Kastros për përfshirjen e tij të dyshuar në rrëzimin e avionëve të një grupi humanitar në vitin 1996.
Vlerësimi i Pentagonit: Zyrtarët amerikanë pranojnë se Kuba e sotme nuk e ka fuqinë ushtarake që zotëronte gjatë Krizës së Raketave në vitin 1962, por theksojnë se afërsia gjeografike me territorin amerikan, e ndërthurur me teknologjinë e dronëve iranianë dhe rusë, përbën një kërcënim serioz dhe të papranueshëm për sigurinë kombëtare të SHBA-së.


