SANTIAGO – Një nga programet më të ndjekura televizive në Kili, Teletrece (T13), ka transmetuar një reportazh investigativ të hollësishëm mbi depërtimin e mafies shqiptare në Amerikën Latine dhe përpjekjet e saj për të shndërruar Kilin në një urë kalimi për trafikun ndërkombëtar të kokainës drejt Evropës.
Sipas hulumtimit të Teletrece, organizatat kriminale shqiptare – të konsideruara nga Europoli si ndër më të rrezikshmet në territorin evropian – po shfrytëzojnë ish-agjentë të inteligjencës shtetërore dhe rrjete të sofistikuara të financimit të paligjshëm për të hapur rrugë të reja të trafikimit.
Kokaina e lëngshme në portin e Arikës dhe rruga ballkanike
Alarmi u ngrit pas sekuestrimit të rreth 20 tonëve dru të impregnuar me kokainë të lëngshme në portin e Arikës. Ngarkesa, e cila kishte origjinën nga Bolivia dhe destinacion final Evropën, zbuloi një logjistikë tepër të kushtueshme dhe metoda komplekse kimike për fshehjen dhe nxjerrjen e substancës. Ekspertët e krimit të organizuar theksojnë se operacione të kësaj përmase mund të menaxhohen vetëm nga kartele të fuqishme transnacionale.
Eksperti i krimit të organizuar, Pablo Zeballos, sqaroi për Teletrece strategjinë operative të këtyre grupeve:
“Ata dërgojnë delegatë direkt në zonat e prodhimit në Amerikën Latine, ku sigurojnë një çmim afatgjatë dhe relativisht të ulët, rreth 1,500 dollarë për kilogram. Gjithashtu garantojnë kosto shumë të ulëta për transportin dhe magazinimin para dërgesës në Evropë. Në këtë mënyrë, ata sigurojnë një çmim konkurrues me të cilin asnjë organizatë tjetër kriminale nuk mund të rivalizojë.”
Sipas të dhënave të OKB-së të cituara në reportazh, “Rruga e Ballkanit”, e cila dominohet kryesisht nga organizatat shqipfolëse, gjeneron të ardhura të paligjshme që kapin shifrën e afërsisht 18 miliardë dollarëve në vit.
Nga Shërbimi Informativ (SHISH) në celulat kriminale të Kilit
Raporti i medias kiliane analizon se si rënia e diktaturës komuniste në Shqipëri në vitet ’90 la të papunë një pjesë të strukturave të specializuara të inteligjencës dhe policisë sekrete, të trajnuar në mbledhjen e informacionit, infiltrimit dhe metodave operative. Disa nga këta individë u riorganizuan si agjentë të krimit të organizuar.
Një prej tyre është Viktor Gjini, ish-agjent i inteligjencës shqiptare, i cili u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg në Kili për trafik ndërkombëtar droge. Teletrece ka siguruar për herë të parë dëshminë audio të Gjinit përpara gjykatës kiliane:
“Ai qëndroi me mua për tre ditë në një hotel. Jam i sigurt, siç thotë prokurori, kështu mblidhen fotot për hetimin kudo. Ku kam ecur? Ku i kam shkëmbyer paratë e mia? Sepse është normale për mua të shkëmbej para. Kam shkëmbyer para për ushqim, për këtë, dhe kam shpenzuar para. Është normale”, deklaronte Gjini në gjykatë, duke u përpjekur të minimizonte rolin e tij.
Prokurori i rastit, Carlos Ribas, e cilësoi Gjinin si një individ jashtëzakonisht të trajnuar, i cili fliste katër gjuhë dhe kishte njohuri të thella mbi logjistikën detare. Ai kishte mbërritur në Kili me pasaportë holandeze të falsifikuar, i shoqëruar nga drejtuesi kryesor i celulës.
Infiltrimi i Marinës dhe metoda “Fei Ch’ien” (Fei-Chien / Guajala)
Operacioni i arrestimit u koordinua falë informacioneve të inteligjencës të dërguara nga DEA (Administrata Amerikane kundër Drogës) nga Roterdami i Holandës. Për të goditur rrjetin, një agjent i fshehtë i Marinës së Kilit u infiltrua si operator portual në Valparaíso. Ai fitoi besimin e shqiptarëve duke u treguar pikat e ankorimit, kanalet e portit dhe procedurat e ngarkesës.
Gatishmëria e shqiptarëve ishte të paguanin 200,000 dollarë (gjysma paraprakisht) për të futur 200 kg kokainë në tubat frigoriferikë të një kontejneri. Për transferimin e parave hyri në lojë e ashtuquajtura lidhje kineze përmes sistemit të fshehtë bankar “Fei Ch’ien” (apo Guajala).
Për të ekzekutuar pagesën pa lënë gjurmë bankare, Gjini kishte dërguar paratë te një kontakt në Evropë, i cili kishte fotografuar një kartëmonedhë dollari dhe e kishte grisur atë, duke mbajtur vetëm gjysmën me numrin serial. Kjo foto iu dërgua një rrjeti tregtarësh kinezë në Santiago të Kilit. Kur shtetasi kinez u takua me Gjinin në hotelin “Ibis”, verifikimi i identitetit u bë thjesht përmes përputhjes së numrit serial të kartëmonedhës së grisur, duke i dorëzuar atij paratë në dorë pa thënë asnjë fjalë.
Goditja e policisë dhe koka në arrati
Ndërhyrja e Karabinerëve të Kilit dhe Marinës u finalizua me arrestimin e financuesve kinezë në qendër të Santiagos dhe të Viktor Gjinit në një qendër tregtare në zonën lindore të qytetit.
Megjithatë, autoritetet kiliane konfirmuan se truri i vërtetë i operacionit dhe pronari i drogës ishte një tjetër shtetas shqiptar, i identifikuar si Brian Dragoti, i cili sipas të dhënave të përbashkëta nga Holanda, Franca dhe Belgjika, rezulton i lidhur ngushtë me kupolën e mafies shqiptare. Dragoti ka arritur t’i shpëtojë arrestimit dhe aktualisht kërkohet intensivisht përmes një urdhër-arresti ndërkombëtar, ndërsa të gjithë bashkëpunëtorët e tij në Kili tashmë janë dënuar nga drejtësia lokale.


