TIRANË – Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka komentuar në tone mjaft kritike zhvillimet më të fundit brenda Partisë Demokratike, duke deklaruar se në këtë forcë politike ka vdekur gara reale dhe se situata aktuale përbën një “dramë për demokracinë shqiptare”.
Sipas Topit, proceset e brendshme që po zhvillohen në PD nuk kanë të bëjnë me një konkurrencë të mirëfilltë alternativash, por janë thjesht një mekanizëm për rikonfirmimin e Sali Berishës në krye të partisë. Ai theksoi se demokratët po e përjetojnë me pesimizëm këtë gjendje amorfe, duke shtuar se dëmi më i madh për vendin sot vjen pikërisht nga degradimi i asaj që duhej të ishte shpëtimi dhe shpresa e opozitës.
“Berisha nuk frymëzon më, lidershipi është i ezauruar”
Ish-kreu i shtetit nënvizoi se entuziazmi brenda strukturave opozitare ka rënë në kuotat minimale dhe se retorika e vazhdueshme për “kilometrin e fundit” të rrëzimit të qeverisë nuk ka më asnjë efekt te qytetarët.
“Nuk kam një emër se kush mund ta zëvendësonte Berishën, emrat ekstraktohen kur ka forume serioze. Protestat nuk po bëhen për qytetarët, por për të mbajtur radhët në parti dhe për një jehonë të mundshme në arenën ndërkombëtare. Ndërsa në botë lidershipet janë ndërruar disa herë përgjatë 35 viteve, në vendin tonë protestat vijnë nga një parti që drejtohet nga një lidership i ezauruar. Ky është një rekord Guines, por në aspektin negativ”, u shpreh Topi.
Varfërimi intelektual i skenës politike: Nga PD te PS
Topi deklaroi se aktualisht nuk sheh asnjë figurë konkrete që mund të marrë frenat e PD-së, pasi sipas tij, liderët e rinj dalin vetëm përmes strukturave funksionale dhe serioze, të cilat aktualisht mungojnë. Më tej, ai bëri një paralizëm mes të djathtës dhe të majtës, duke konstatuar një rënie të frikshme të nivelit intelektual në të dyja kampet:
-
E djathta (PD): Po vuan nga një varfërim gradual i anëtarëve përfaqësues intelektualë, si pasojë e kohës së gjatë që po kalon në opozitë.
-
E majta (PS): Po përjeton një varfërim intensiv dhe galopant të figurave të saj. Ish-presidenti ftoi në një retrospektivë se me çfarë kualitetesh dhe personalitetesh e nisi Edi Rama pushtetin në vitin 2013 dhe se me çfarë profilesh politike ka përfunduar sot kabinetin dhe strukturat e tij.


