BERLIN – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Gjermani, u prit në Bundestag nga Kryetari i Komitetit për Çështjet e Bashkimit Europian, Anton Hofreiter, dhe anëtarët e këtij komisioni.
Gjatë bashkëbisedimit, Balla shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palundur që Bundestagu dhe Qeveria Federale Gjermane i kanë ofruar Shqipërisë në procesin e integrimit. Ai bëri me dije se objektivi kryesor i Tiranës zyrtare mbetet përmbyllja e plotë e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian brenda vitit 2027.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla hodhi poshtë me nota ironie pretendimet e qarqeve kritike se procesi ka ngecur. „Kush tha që janë bllokuar negociatat?“, u shpreh ai, duke vënë theksin te progresi i vazhdueshëm i vendit në rrugën drejt familjes europiane.
Ky takim vjen në një moment strategjik për perspektivën europiane të vendit. Që nga dita e hënë, një delegacion i gjerë shqiptar – ku përfshihen dy bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, si dhe Kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani – po zhvillon një tur takimesh zyrtare në Kancelarinë Gjermane, Qeverinë Federale dhe Bundestag.
Delegacioni po qëndron në Berlin me ftesë të Ministrit të Shtetit për Europën, Gunther Krichbaum, për të diskutuar mbi statusin dhe perspektivën e vendeve kandidate që kanë shënuar avancim në proces.


