VLORË – Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka bërë me dije se projekti për ndërtimin e infrastrukturës lidhëse të Tunelit të Llogarasë ka hyrë në një fazë të rëndësishme realizimi. Sipas njoftimit zyrtar, tashmë ka nisur shtrimi i shtresave të para asfaltike në kilometrin e parë të këtij segmenti rrugor.
Aktualisht, progresi fizik i të gjithë projektit të rrugëve aksesuese ka arritur në rreth 80%, ndërsa kompanitë kontraktuese po vijojnë punën me ritme të larta në terren për përfundimin e plotë të infrastrukturës rrugore, sinjalistikës dhe veprave inxhinierike të artit.
Ky investim strategjik i qeverisë shqiptare konsiderohet kyç për infrastrukturën e jugut, pasi do të mundësojë një lidhje organike dhe funksionale me tunelin, duke garantuar një qarkullim rrugor shumë më të shpejtë, më të sigurt dhe komod për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe turistët që vizitojnë Rivierën Shqiptare.


