**SHKUP** – Ka nisur zyrtarisht realizimi i projektit madhor infrastrukturor për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë, e cila do të shërbejë si një nga arteriet kryesore rrugore për lidhjen e Maqedonisë së Veriut me Kosovën.
Lajmi u bë i ditur pas një takimi pune me Fatih Turkmenoglu, drejtor i zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), ku u diskutuan detajet e fundit rreth ecurisë së punimeve për këtë aks rrugor me rëndësi strategjike.
Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka potencuar rëndësinë e këtij projekti si për lëvizjen e lirë, ashtu edhe për ekonominë e vendit:
> “Autostrada Shkup – Bllacë përfaqëson një arterie jetike rrugore me të cilën Maqedonia lidhet me Kosovën. Ndërtimi i saj do të kontribuojë në një transport më efikas dhe qarkullim më të sigurt, do të përmirësojë lidhjen me vendet fqinje dhe do të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik, tregti dhe investime, me çka Maqedonia do të forcojë më tej rolin e saj si një nyjë e rëndësishme tranziti dhe transporti në rajon.”
>
### Një kompani vendore udhëheq punimet
Për herë të parë pas një periudhe të gjatë kohore, realizimi i plotë i një autostrade i është besuar një kompanie vendore. Kontraktues i punimeve është konorciumi i udhëhequr nga kompania maqedonase e ndërtimit “Granit”.
### Specifikat teknike të projektit
Për shkak të terrenit specifik, ky projekt konsiderohet mjaft kompleks nga ana inxhinierike. Sipas planeve të ndërtimit, në këtë aks rrugor parashihet të ndërtohen:
* **5** tunele
* **2** galeri
* **12** ura
* Rreth **40** objekte të tjera më të vogla infrastrukturore.
Kjo infrastrukturë e re pritet të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe të rrisë sigurinë e qarkullimit drejt kufirit me Kosovën.


