Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi: Pastrimi i kanaleve dhe ndëshkimi i ndotësve, prioritet për mjedisin

TEARCË – Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, ka reaguar ashpër ndaj degradimit të mjedisit përgjatë rrugëve kryesore të vendbanimeve, duke njoftuar masa të rrepta ndaj atyre që shkelin rregullat për menaxhimin e mbeturinave dhe ujërave të zeza.

 

Në kuadër të aksionit për pastrimin e kanaleve kulluese, të cilat shërbejnë edhe për sistemin e ujitjes, është konstatuar një situatë alarmante e ndotjes. Kryetari Memishi ka bërë të ditur se në këto kanale janë identifikuar derdhje të ujërave të ndotura dhe hedhje të mbeturinave të ndryshme, veprime të cilat përbëjnë rrezik për shëndetin publik dhe dëmtojnë ekosistemin lokal.

“Puna dhe përkushtimi ndaj çdo vendbanimi është obligimi ynë. Megjithatë, ndotja që po hasim gjatë procesit të pastrimit është shqetësuese dhe cenon interesin e përgjithshëm,” deklaroi Kryetari Memishi.

Në këtë drejtim, i pari i komunës ka paralajmëruar ndërhyrje rigoroze të Inspektoratit Komunal. Sipas tij, çdo shkelje e konstatuar do të trajtohet në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloret në fuqi, pa asnjë përjashtim.

Kryetari Memishi ka apeluar te qytetarët që të tregojnë vetëdije të lartë qytetare, duke theksuar se interesi publik mbetet mbi çdo interes individual dhe se mbrojtja e mjedisit është një përgjegjësi e përbashkët.

Komuna e Tearcës konfirmon se ky aksion është vetëm fillimi i një plani më të gjerë për menaxhimin e infrastrukturës mjedisore, me qëllim krijimin e një ambienti më të pastër dhe më të sigurt për të gjithë banorët.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT