Komuna e Tetovës: Gjykatësit kushtetues po përdoren për lojëra politike; rasti i riemërtimit të rrugëve është tendencioz

TETOVË – Komuna e Tetovës ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të fundit në Gjykatën Kushtetuese lidhur me vendimin për riemërtimin e rrugëve në këtë qytet. Përmes një komunikate për opinionin, nga pushteti lokal vlerësojnë se gjykatësit shqiptarë, të emëruar nga pushteti i kaluar, në vend të mbrojtjes së interesit publik dhe kushtetues, janë përfshirë në agjenda të politikës ditore.

 

Prapavija ligjore: Vendimi nuk ka qenë kurrë i plotfuqishëm

Nga Komuna e Tetovës sqarojnë se vendimi i shumëpërfolur për riemërtimin e rrugëve nuk ka pasur asnjëherë bazë ligjore të plotfuqishme.

“E vërteta është se vendimi për riemërtimin e rrugëve në Tetovë asnjëherë nuk u bë i plotfuqishëm, për shkak se katër qeveritë e BDI-së pas vitit 2007, nuk e proceduan atë për miratim në Qeveri. Rrjedhimisht, emërtimet nuk janë reflektuar as në Kadastër dhe as në Regjistrin Qendror,” thuhet në reagim.

Akuzat për agjendë politike dhe tensionim të situatës

Sipas Komunës, hapja e kësaj procedure në Gjykatën Kushtetuese pikërisht në momentin kur komuna është në fazën finale të riemërtimit zyrtar dhe ligjor të rrugëve, nuk është e rastësishme.

Nga pushteti lokal vlerësojnë se ky veprim ka për qëllim të vetëm krijimin e tensioneve ndëretnike. Gjithashtu, Komuna drejton gishtin nga strukturat politike të opozitës, duke pretenduar se pas kësaj tendence qëndron partia e cila, sipas tyre, ka shpërndarë zyrtarisht deklaratat e një gjykatësi kushtetues.

Në përfundim, Komuna e Tetovës kërkon nga institucionet e drejtësisë që të mos shndërrohen në instrumente të partive politike dhe të mos pengojnë proceset që janë në interes të qytetarëve dhe rregullimit të dokumentacionit zyrtar.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT