Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka vlerësuar se tejkalimi i ngërçit politik pas zgjedhjeve të 7 qershorit është i mundur vetëm përmes bashkëpunimit të sinqertë ndërpartiak dhe institucional. Sipas tij, Kosova ka nevojë urgjente për një agjendë të qartë strategjike për të rikthyer stabilitetin e vendit.
Përmes një komunikimi publik, Haziri nënvizoi se prioritet i partive politike duhet të jetë ndërtimi i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe definimi i programit zhvillimor, ndërsa çështja e ndarjes së posteve institucionale duhet të mbetet prioritet dytësor.
“Bashkëpunimi partiak e institucional është udha e vetme për ta thyer rrethin vicioz që po e lodh Republikën! Cilido opsion që arrin marrëveshjen gjithëpërfshirëse, programin zhvillimor dhe agjendën strategjike duhet ta ketë në qendër të saj, ndërkaq skenari i ndarjes së përgjegjësive institucionale vjen në fund,” deklaroi Haziri.
Nënkryetari i LDK-së bëri thirrje për kapërcimin e qasjeve parciale, duke potencuar se stabiliteti rajonal i Kosovës varet drejtpërdrejt nga kohezioni politik i brendshëm. Ai theksoi nevojën për një qasje shtetformuese, ku interesi i Republikës të mbizotërojë mbi kalkulimet partiake apo individuale.
“Një njeri dhe një parti është kauzë e humbur. Republika, mbi të gjithë!” përfundoi Haziri, duke kërkuar angazhim maksimal për zhbllokimin e proceseve që aktualisht po e mbajnë vendin në një cikël të pafundmë krizash.


