Studentët në Novi Sad kundër Vuçiqit: Vizita e Begajt në Luginë, “tradhti e lartë”

Vizita e presidentit shqiptar, Bajram Begaj, në Luginën e Preshevës më 8 korrik ka shkaktuar reagime të forta nga grupi i studentëve të Fakultetit Juridik në Novi Sad, të cilët janë pozicionuar hapur kundër politikave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

 

Në një reagim të titulluar “Tradhti e lartë nën velin e territ informativ”, studentët akuzuan pushtetin se po mban të fshehtë vizitën e Begajt përmes mediave pro-qeveritare. Siç njofton KohaNEWS, ata shtruan pyetjen nëse presidenti serb po përgatit terrenin për të “shitur një tjetër pjesë të territorit të Serbisë”.

Studentët shprehën indinjatën e tyre, duke krahasuar situatën e serbëve në Kosovë me lëvizjen e lirë të Begajt në Bujanoc e Preshevë. “Përderisa në Kosovë serbët arrestohen për simbole dhe këngë, presidenti shqiptar vjen në jug të Serbisë sikur të lëvizte nëpër shtetin e vet”, deklaruan ata, duke kritikuar mungesën e raportimit për deklaratat se Lugina e Preshevës është pjesë e “botës shqiptare”.

Përgjigjja e Vuçiqit Përballë këtyre akuzave, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka reaguar duke konfirmuar se vizita e Begajt është bërë me të gjitha lejet e nevojshme. “Ata kërkuan rregullisht dhe morën të gjitha lejet nga autoritetet serbe. Bëhet fjalë për presidentin e Shqipërisë”, u shpreh Vuçiq. Ai gjithashtu sqaroi se forcat e armatosura që siguruan vizitën në Bujanoc ishin pjesëtarë të forcave të sigurisë serbe.

Siç transmeton KohaNEWS, studentët vazhdojnë të mbeten skeptikë, duke e akuzuar qeverinë aktuale për “patriotizëm të rremë” dhe duke pretenduar se veprimet e pushtetit janë në kundërshtim me interesat kombëtare serbe.

/KohaNEWS

TË NDRYSHME

TË FUNDIT