Autorët e krimit të marsit të vitit 1998 mbi familjen Jashari pritet që së shpejti të përballen me drejtësinë, pasi Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka paralajmëruar finalizimin e hetimeve dhe ngritjen e aktakuzës. Ky sulm, i cili shënjestroi familjen e komandantit legjendar Adem Jashari, la pas 55 të vrarë, 22 prej të cilëve familjarë të ngushtë.
Në një njoftim zyrtar, Prokuroria Speciale bëri të ditur se ky rast po trajtohet me përparësi absolute. “Rasti është duke u trajtuar me prioritet dhe shumë shpejt do të finalizohet me ngritjen e aktakuzës,” thuhet në deklaratën e institucionit.
Ekspertët ligjorë e vlerësojnë këtë hap si një moment kyç për drejtësinë kosovare. Avokati Visar Rrecaj thekson se prokuroria tashmë ka siguruar dëshmitë e nevojshme. “Rëndësia e një aktakuze të tillë është e veçantë si në aspektin juridik, ashtu edhe në atë shtetëror, për t’i dhënë epilog ngjarjes së vitit 1998. Për sistemin e drejtësisë, është jetike që kjo aktakuzë të jetë e kompletuar në detaje, pasi epilogu përfundimtar do të ketë jehonë edhe në skenën ndërkombëtare,” u shpreh Rrecaj.
Edhe organizatat e dala nga lufta e kanë mirëpritur këtë njoftim, ndonëse kanë shprehur rezerva për kohëzgjatjen e procesit. Hysni Gucati, kreu i veteranëve të UÇK-së, e vlerësoi veprimin e Prokurorisë, duke shtuar se drejtësia për masakrën në Prekaz është dashur të vendosej shumë më herët.
Kujtojmë se hetimi i krimeve të luftës në Kosovë ka kaluar nëpër disa faza, nga mandatet e UNMIK-ut dhe EULEX-it, për të kaluar që nga viti 2018 në kompetencë të plotë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila ka ngritur departament të posaçëm për hetimin e këtyre rasteve.


