Ka përfunduar pas rreth 80 minutash raundi i parë i bisedimeve diplomatike ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, të zhvilluara në Burgenstock të Zvicrës. Pas takimit, delegacionet janë tërhequr për konsultime të brendshme, ndërsa ende nuk janë zbardhur detajet mbi rezultatet konkrete të diskutimeve.
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, para fillimit të bisedimeve, shprehu optimizëm për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike. Ai konfirmoi se presidenti Donald Trump i ka dhënë delegacionit mandat të plotë për të trajtuar çështjet kritike në Lindjen e Mesme.
“Presidenti Trump na ka autorizuar të gjejmë një zgjidhje diplomatike për një numër çështjesh. Këto negociata mund të hapin rrugën për një transformim të marrëdhënieve në rajon,” deklaroi Vance, duke shtuar se administrata amerikane synon promovimin e një armëpushimi më të gjerë, përfshirë stabilitetin në Liban.
Ndonëse e cilësoi Iranin si faktor destabilizues, Vance vuri në dukje se janë shënuar përparime të rëndësishme në kontaktet e fundit diplomatike.
Nga ana tjetër, delegacioni iranian ka ruajtur heshtjen pas takimit. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghai, në qendër të diskutimeve për palën iraniane janë situata në Liban, respektimi i armëpushimit nga ana e Izraelit, si dhe zhbllokimi i aseteve iraniane dhe çështjet e eksportit të naftës.
Ndërkohë, në planin ushtarak, agjencia Fars ka raportuar se Ngushtica e Hormuzit vijon të mbetet e mbyllur për lundrimin, duke dëshmuar tensionet ende të larta. Këto bisedime janë ndjekur me vëmendje nga komuniteti ndërkombëtar, ku kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka shprehur shpresën se dialogu do të shërbejë si katalizator për paqen dhe stabilitetin rajonal.


