Ekrem Spahiu: Protesta, alternativat politike dhe mbretëria shqiptare

Po mbushet afro një muaj dhe protesta qytetare vazhdon të jetë e qëndrueshme dhe këmbëngulëse në kërkesat e saj. Në thelb, është një lëvizje që përfaqëson pakënaqësinë e madhe të akumuluar prej 36 vjetësh kundër establishmentit politik që po e mban varur Shqipërinë.
Pikërisht ky thelb më fton të evokoj parashikimin vizionar të Mbretit Leka I lidhur me këtë establishment dhe përpjekjet e tij referendare për t’i paraqitur popullit shqiptar alternativën më të mirë, me bindjen se një mbretëri përcjell vlera si: demokracia, drejtësia, besnikëria, nderi, përgjegjësia, rendi, urtësia në udhëheqje, bashkimi dhe mbrojtja e popullit – veti këto që i mungojnë establishmentit politik 36 vjeçar të Shqipërisë.
Më 28 qershor 2002 Familja Mbretërore shqiptare u kthye përfundimisht në atdhe pas 63 vitesh mërgimi të detyruar nëpër vende të ndryshme të botës me të gjitha nderimet e duhura, ashtu sikurse e meritonte, jo thjeshtë për kontributet e jashtëzakonshme që kishte dhënë për shtetin dhe kombin shqiptar, por edhe për të ardhmen e shqiptarëve.
Megjithëse diktatura komuniste ra si regjim në pranverë të vitit 1991 dhe në Shqipëri nisi të ngrihej një sistem demokratik, Familja Mbretërore shqiptare ende nuk lejohej të kthehej në atdhe nga pushtetarët e kohës, me justifikimin absurd të mbajtjes në fuqi të vendimit të udhëheqjes komuniste në Kongresin e Përmetit, të 24 majit 1944, ku i “… ndalohej Mbretit Zog dhe Familjes Mbretërore kthimi në Shqipëri”.
Por arsyeja e vërtetë fshihej tjetërkund: personaliteti i Mbretit Leka, mund të ndryshonte shumë gjëra në skenën politike, madje mund ta përmbyste statusquo-në e establishmentit. Dukej qartazi qoftë në artikulimet publike të klasës politike të kohës, qoftë në frymën e përgjithshme që sundonte e kontrollonte median. Në fillimvitet ’90-të nuk u lejua madje as veprimtaria politike e Partisë së Legalitetit në atdhe. Aprovimi i PLL-së u bë rreth 15 muaj mbas lejimit të partive politike në vend.
Sot, në distancën e kaq shumë viteve, kthimi i Familjes Mbretërore shqiptare, mund të duket si një proces i natyrshëm e pa ndonjë ngarkesë të posaçme, por nuk ka qenë aspak e lehtë.
***
Mbreti Leka, i cili ishte larguar foshnjë dy ditësh nga Shqipëria, më 7 prill 1939 nga pushtimi fashist dhe që gjithë jetën e tij ia kishte kushtuar atdheut e kombit. Me rënien e diktaturës, në koordinim dhe me mbështetje nga faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, të interesuar edhe për të testuar demokracinë në Shqipëri, Mbreti Leka vendosi që, në momentin më të përshtatshëm, të vinte në Atdhe.
Rast i volitshëm u konsiderua 50-vjetori jubilar i krijimit të Organizatës Kombëtare e Lëvizjes së Legalitetit në Kongresin e Zall-Herrit, që ishte mbajtur në 21 nëntor 1993. Në këtë kuadër, ai erdhi në Shqipëri më 19 nëntor 1993.
Lajmi i mbërritjes së Mbretit në Tiranë u përhap menjëherë në gjithë vendin. Mijëra mbretërorë, nga të katër anët, udhëtuan për gjithë natën dhe, në orët e para të mëngjesit, do ta prisnin përpara Hotel “Dajti” dhe përgjatë bulevardit e deri te Pallati i Kongreseve.
Por, funksionarë të lartë të SHIK-ut dhe Policisë së Shtetit, të alarmuar nga interesimi i jashtëzakonshëm i mbretërorëve për t’u takuar me Mbretin, shkojnë në hotel dy-tre orë pas mesnate dhe i kërkojnë largimin nga Shqipëria, për shkak të “problemeve” me “dokumentet e udhëtimit dhe armatimeve personale”.
Mbreti Leka i I-rë, për të evituar ndonjë përplasje të mundshme mes mbretërorëve dhe policisë, respekton “kërkesën” e zyrtarëve të shtetit dhe, në ora 08.30, del nga hoteli, niset për në Rinas dhe largohet nga atdheu. Ishte largimi i dytë traumatik pas atij të 7 prillit 1939.
***
Në vitin 1997, në një moment shumë të vështirë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, partitë politike, në marrëveshjen e 9 marsit 1997, për të përfituar nga kredibiliteti që kishte Mbreti nga jugu në veri të vendit (socialistët nuk mund të shkonin në veri, ndërsa demokratët nuk mund të shkonin në jug), lejuan “kthimin e Mbretit Leka I në atdhe”, madje edhe “zhvillimin e referendumit për formën e regjimit”. Mbreti mbërriti në Shqipëri për herë të dytë më 12 prill 1997, po me ato dokumente udhëtimi si në 1993.
Referendumi u zhvillua më 29 qershor 1997, në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare. Mbreti zhvilloi një fushatë shumë dinjitoze në mbarë vendin dhe realisht alternativa mbretërore doli fitimtare në atë referendum. Por klasa politike e kohës, e befasuar nga rezultati surprizë, urdhëroi KQZ-në të mos shpallte fitoren e Monarkisë dhe të zgjaste procesin e numërimit deri sa të fitonte kohë për manipulim votash.
Të tronditur nga tjetërsimi i votave, mbështetësit e Mbretit dhe të Monarkisë vërshuan në një tubim-proteste në sheshin “Skënderbej” dhe përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Policia ndërhyri me armë për të shpërndarë protestuesit, duke vrarë njërin prej tyre dhe plagosur shumë të tjerë. Prokuroria urdhërohet të nisë hetimet, duke e akuzuar Mbretin Leka “Për organizim e grumbullim të manifestimit të paligjshëm për rrëzimin e rendit kushtetues dhe armëmbajtje pa leje”.
Mbreti Leka, për të evituar konfliktet e provokacionet, detyrohet të largohet përsëri nga atdheu më 12 korrik 1997, me premtimin se ishte i gatshëm të kthehej në momentin që do ta kërkonte populli shqiptar.
***
Me qëllim rivendosjen e nderit dhe institucionalitetit të Mbretit, më 04.06.1998 Partia “Lëvizja e Legalitetit” bëri të mundur hartimin dhe firmosjen e një rezolute nga kryetarët e të gjitha partive (të djathta dhe qendrës së djathtë) opozitare parlamentare dhe joparlamentare ku, ndër të tjera, u kërkua: “…i bëjmë thirrje Mbretit Leka I për t’u kthyer në atdhe, pasi edhe procesi gjyqësor i ngritur ndaj tij është një farsë politike e koalicionit të majtë”.
Periudha më e favorshme për ta realizuar kthimin e Familjes Mbretërore në atdhe ishin vitet 2001-2005 kur Partia “Lëvizja e Legalitetit” ishte në pikun e fuqisë së saj politike dhe me një kredibilitet të madh në elektorat, jo thjeshtë se ishte parti parlamentare, por sidomos të qendrimeve institucionale të mbajtura dhe kompaktësisë së grupit parlamentar. Me nismën e grupit parlamentar të kësaj partie, në pranverën e vitit 2002, filloi përgatitja e infrastrukturës së duhur institucionale për kthimin e Familjes Mbretërore në atdhe. Pas një lobimi të fuqishëm me drejtuesit e partive parlamentare, u arrit një marrëveshje politike ku kryetarët e 9 grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, më 17 qershor 2002, firmosën një dokument të përbashkët, në të cilin, ndër të tjera, shkruhej: “Duke respektuar Familjen Mbretërore Shqiptare, jemi të bindur se respektojmë themelimin e shtetit modern shqiptar nga Mbreti Zog I. Me kthimin e Familjes Mbretërore në atdhe, merr fund një padrejtësi e shkaktuar nga pushtimi fashist dhe diktatura komuniste”.
Deklarata e grupeve parlamentare u shoqërua me kërkesën e 74 deputetëve firmëtarë (nga 140 që kishte Kuvendi), ku kërkohej: “Ne, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të mbështetur në vlerësimin që kemi për historinë e Shtetit Shqiptar dhe vazhdimësinë e tij juridike, si dhe në zhvillimet e sotme demokratike, paraqesim kërkesën tonë që Nëna Mbretëreshë Geraldina dhe Familja Mbretërore Shqiptare të vijnë e të jetojnë përgjithmonë në Shqipëri”.
Kështu u arrit që Mbreti Leka dhe e gjithë Familja Mbretërore të kthehet në Shqipëri më 28 qershor 2002. Që në orët e para të mëngjesit, kishin ardhur në Tiranë me mijëra legalistë dhe qytetarë të ndryshëm nga të gjitha rrethet e Shqipërisë dhe trevat shqitare, të cilët e pritën ardhjen e tretë të Mbretit dhe Familjes Mbretërore në Rinas si një festë kombëtare.
Mbreti Leka, sapo zbriti në Rinas, u shpreh për mediat e shumta: “Dua të falënderoj popullin shqiptar, shtetin shqiptar që na dha këtë rast me u kthye në atdheun tonë”.
Kështu, pas 63 vitesh mërgimi të detyruar nëpër vende të ndryshme të botës, Familja Mbretërore shqiptare u kthye përfundimisht në atdhe me të gjitha nderimet e duhura, ashtu sikurse e meritonte, si për kontributet e jashtëzakonshme që kishte dhënë për shtetin dhe kombin shqiptar, ashtu edhe si një alternativë e besueshme për të ardhmen e shqiptarëve.
Edhe pse kanë kaluar shumë vite, në cilësinë time si ish-deputet e kryetar grupi, por edhe si ish-kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit, gjej rastin të rifalenderoj të gjithë deputetët firmëtarë për atë akt politik dhe njerëzor, ashtu si edhe të gjithë përkrahësit dhe mbështetësit e Mbretërisë për mbajtjen gjallë të idealit mbretëror dhe për pritjen madhështore që i bënë Mbretit Leka i I-rë.
Ishte një sagë përpjekjesh fisnike të të gjithë aktorëve të lidhur me Monarkinë, të vetë Mbretit në radhë të parë, për të qenë pranë kombit shqiptar dhe për t’i prezantuar popullit shqiptar një alternativë që e kishte provuar veten dhe të cilën populli shqiptar e çmon lartë edhe sot pas afro një shekulli.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT