Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe funksionar i Koalicionit VLEN, Arben Fetai, nëpërmjet një mesazhi drejtuar qytetarëve të Kumanovës, vuri në pah nevojën për ndryshim, përfaqësim të denjë dhe udhëheqje me njerëz të përkushtuar ndaj punës dhe qytetit.
“Kumanova gjithmonë ka ditur të bëjë dallimin mes kotësisë dhe njerëzve të punës. Sot ajo po çohet në këmbë me Një Zë, për t’i dhënë fund jopërfaqësimit, për t’i kthyer dinjitetin vetes dhe për t’i hapur rrugë një të ardhme më të denjë,” theksoi Fetai.
Ai vlerësoi kandidatin për kryetar të Komunës së Kumanovës, Arben Etemin, si një njeri të thjeshtë, të ndershëm dhe të përkushtuar, që punon me përkushtim për qytetin e tij.
“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, por vetëm që Kumanova të udhëhiqet nga ata që e duan me shpirt këtë vend,” shtoi Fetai.
Në përmbyllje të mesazhit të tij, Fetai shprehu besimin se më 19 tetor Kumanova do të flasë me një zë për Arben Etemin dhe bartësin e listës për këshilltarë, Skënder Osmanin, duke mbështetur kështu vizionin e zhvillimit dhe përfaqësimit të vërtetë qytetar.